Mustafa: Do të Marrim Kredi për Investime, por Jo për Paga

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa prezantoi arritjet ekonomike të qeverisë në një konferencë të posaçme për median.

“I kemi dhënë prioritet ndryshimit të politikave fiskale dhe pakos së re fiskale, faljes së borxheve, investimeve strategjike dhe krijimit të kushteve për investime strategjike dhe ndërtimit të fondeve mbështetëse për zhvillim ekonomik”, tha ai.

Sipas Mustafës, përshkallëzimi i TVSH-së për mallra të caktuara, ofron normë të zvogëluar prej 8%, e cila do të ndikojë edhe në uljen e çmimeve.

Po ashtu ai u shpreh që do të marrin kredi të investimeve kapitale, duke përjashtuar këtu mundësinë e marrjes së kredisë për paga, shpenzime dhe te tjera.

“Tani jemi në një fazë të marrëveshjeve me institucionet financiare ndërkombëtare për kredi për financimin e projekteve të ndryshme investive”, tha Mustafa.

Po ashtu, Mustafa tha që janë duke punuar edhe në ligjin për investime strategjike, ligjin mbi fondin e garantimit të kredive, dhe projektin e termocentralit Kosova e Re.

Mustafa tha që edhe paratë e veteranëve janë të sigurta. Me daljen e listave e listave finale, Ministria e Financave bashkë me Qeverinë do të nxjerr nivelin e pagesave për veteranët.