Mustafa: Brukseli i Preokupuar me Dhunën në Parlament

Kryeministri Mustafa në mbledhjen e qeverisë foli për takimet që i pati më 18 e 19 nëntor në Bruksel.

Ai tha se në kryeqytetin evropian i është thënë se dhuna në Kuvendin e Kosovës është e para e tillë në një parlament të një shteti që ndodhet në Evropë.

“Te çdonjëri prej tyre kemi hasur te preokupimi dhe brenga lidhur me situatën tonë në parlamentin tonë, me shfaqjet e dhunshme …Është thënë se është hera e parë që në një vend të Evropës qoftë anëtar i BE-së, apo jo po shihen akte dhe veprime të tilla të dhunës,” tha Mustafa.

Kryeministri Mustafa tregoi se në këtë takim është folur edhe për gjendjen e sigurisë dhe terrorizmin që po i kanos vendet e Bashkimit Evropian.

I pari i Qeverisë tha se ndër temat e diskutuara në Bruksel është edhe çështja e ratifikimit të MSA-së në Parlamentin Evropian si dhe liberalizimi i vizave për Kosovë.

“Ajo që ka qenë kryetemë e jona atje është liberalizimi i vizave. Në të gjitha këto organe dhe institucione kemi kërkuar që të liberalizohen vizat jo si një dhuratë që duhet t’i jepet Kosovës, por si një përgjigje”, deklaroi Mustafa.

Gjatë kësaj mbledhjeje u fol edhe për ndërtimin e Termocentralit “ Kosova e Re”.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci tha se ndërtimi i këtij termocentrali përveç që do të sjellë stabilitet në energji, do të krijojë edhe vende të reja pune.

Ndërtimin e këtij termocentrali e mbështeti edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Stavileci njoftoi të premten se grupi ndërministror që po merret me procedurat e ndërtimit të termocentralit e ka shpallur kompaninë amerikane “Contour Global-i” si ofertues të preferuar.

Gjatë mbledhjes së rregullt të Qeverisë së Kosovës u miratuan edhe propozim vendime në mesin e tyre edhe ajo për ndarjen e mjeteve financiare prej 105 mijë eurove për Zyrën e Presidencës si dhe mjetet financiare prej 13 mijë eurosh për mbulimin e shpenzimeve për delegacionin e Kosovës që janë të angazhuar në gërmimet vlerësuese në regjionin e Rashkës.