Mungojnë Avokatët- Shtyhet për Herë të Tretë Seanca

Seanca fillestare e gjykimit të Pren e Nikollë Shytit për vrasje dhe armëmbajtje pa leje është shtyrë për herë të tretë ngase në gjykatore nuk erdhën avokatët Muharrem Hoti dhe Ndrec Dodaj që mbrojnë të akuzuarit.

Herën e parë seanca ishte shtyrë më 23 dhjetor 2014, ndërsa herën e dytë më 14 janar 2015.

Pren Shyti dhe Nikollë Shyti akuzohen për veprat penale të vrasjes dhe mbajtjes në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve.

Kur kryetari i trupit gjykues  pyeti “edhe sot mungojnë avokatët, nuk është asnjëri, a?, i akuzuari Nikollë Shyti tregoi arsyet e mungesës së mbrojtësit të tij.

“Muharremi me muar parëz në telefon për shkaqe shëndetësore tha sot nuk muj me ardhë,” tha Nikollë Shyti.

Përfaqësuesi i autorizuar i palës së dëmtuar, avokati Avdi Rizvanolli kërkoi që kjo seancë të caktohet menjëherë nesër, për shkak se pala e dëmtuar është duke u maltretuar dhe gjithashtu kemi një të paraburgosur.

“Unë vetëm kisha pasë çdo respekt për kolegët e mi, edhe Ndrec Doda edhe Muharrem Hoti mirëpo sipas mundësisë kisha kërku që kjo seancë të shtyhet për nesër. Kjo është duke u shtyrë në pakufi dhe pala e dëmtuar është duke u maltretuar, e aq më tepër kur e dimë që kemi edhe një të paraburgosur,” tha Rizvanolli.

Kryetari i trupit gjykues, Hilmi Hoxha u shqiptoi vërejtjen e fundit të dy avokatëve të cilët nuk e kanë arsyetuar mospraninë e tyre, edhe pse ishin lajmëruar në mënyrë të rregullt për seancën.

“Meqë kjo procedurë mund të zgjasë me shumë se tre muaj siç e parasheh procedura penale dhe në anën tjetër kryetari i trupit gjykues me datën 31 mars 2015 pensionohet, shqyrtimi gjyqësor shtyhet në kohë të pacaktuar,” tha Hoxha.

Kallxo.com kishte raportuar edhe më parë për këtë rast.