Mungesa e Dëshmitarit Shtyn Seancën për Shpërdorim Detyre

Dëshmitari i mbrojtjes Edmond Hajrizi mungoi në gjykimin e Fatmir Hajrizit për shpërdorim të detyrës zyrtare.

Kryetarja e trupit gjykues tha se dëshmitari Edmond Hajrizi nuk është gjendur në vendbanimin e tij, ndërsa paralajmëroi se nëse ai nuk i përgjigjet ftesës së gjykatës për të dëshmuar, do të sillet me dhunë në sallën e gjyqit.

Fatmir Hajrizi akuzohet nga prokuroria për shpërdorim të detyrës zyrtare në cilësinë e menaxherit teknik në Kolegjin Universitar për Biznes dhe Teknologji në Prishtinë me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për tjetrin.

Sipas aktakuzës  së prokurorisë,  Fatmir Hajrizi pranoi shumën e të hollave prej 500 eurosh nga Egzona Salihu, e dëmtuara e këtij rasti, të cilës i ka lëshuar dëftesë për këto para, por atë shumë nuk e ka regjistruar në Zyrën e Financave të UBT-së.

Me këtë veprim, sipas prokurorisë, Fatmir Hajrizi ia ka pamundësuar të dëmtuarës paraqitjen e provimeve.

Seanca e radhës do të mbahet me 17 dhjetor.