MSA dhe Rruga e ‘Pashtruar’ e Kosovës Drejt BE-së

Hapi i fundit i Kosovës drejt nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit vlerësohet si hap i rëndësishëm, është pse është gjë e zakonshme.

BE-ja pritet ta nënshkruajë MSA-në me Kosovën si entitet jo-shtetëror, ndërsa zbatimi i saj nuk mund të fillojë para janarit të vitit të ardhshëm.

Kështu i vlerësojnë hapat e Kosovës drejt nënshkrimit të MSA-së për Kosovën dhe sfidat që e presin atë.

Fatmir Curri nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, thotë se hapi i fundit i Kosovës drejt nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit është gjë e zakonshme.

“Është proces i rëndomtë, që kolegji i komisionerëve pajtohet në tekstin e MSA-së përpara se atë t’ia prezantojë Parlamentit Europian dhe Këshillit të BE-së për diskutim respektivisht aprovim. Pra, Komisioni Europian kishte sigluar këtë marrëveshje në korrik të vitit 2014 dhe tani është aprovuar edhe nga kolegji i Komisionerëve”, thotë Fatmir Curri nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile.

Curri thotë se hapi i fundit për MSA-në është me rendësi në procesin e Integrimeve Evropiane, meqë është hera e parë që Kosova është rrugës për të nënshkruar një marrëveshje kontraktuale me BE-në.

Por, kjo marrëveshje, sipas tij, vazhdon ta ballafaqojë edhe Kosovën edhe Komisionin Evropian me formate dhe dinamika të diktuara nga politika dhe çështjet e hapura të shtetësisë së Kosovës, dhe sidomos me një proces me shumë të panjohura deri në fund e me paqartësi të mëdha meqë është hapi i fundit ku Kosova mund të arrijë në procesin e anëtarësimit, meqë pa njohjen e të gjitha shteteve anëtare të BE-së nuk mund të aplikojë për vend kandidat.

“I tërë procesi i negociatave për MSA-në ka qenë i mbyllur, jo transparent dhe pa asnjë konsultim ose përfshirje të hisedarëve të rëndësishëm, siç janë odat ekonomike, shoqatat e prodhuesve, shoqatat e eksportuesve dhe vetë bizneset që do të ndikohen nga kjo marrëveshje”, thotë Curri.

Madje ai thotë se ka pasur edhe një tentative të dështuar të konsultimit me shoqërinë civile.

“Nga përvoja e shteteve  nga rajoni, të cilat kanë kaluar nëpër procesin e negociatave me BE-në, shihet se përfshirja e të gjitha palëve të interesit, përfshirë shoqërinë civile, akademinë, sindikatat dhe ekspertët individualë në raundet e negociatave siguron qasje gjithëpërfshirëse dhe pjesëmarrëse, si dhe burime shtesë të ekspertizës së nevojshme”, thotë më tej Curri.

Nënshkrimi i MSA-së si marrëveshje evropiane, sipas tij, mund të kryhet gjatë kësaj vere, por fillimi i zbatimit nuk mund të fillojë para janarit 2016.

Besa Shahini – analiste nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet (ESI), thotë se MSA-ja po nënshkruhet me Kosovën si entitet jo-shtetëror.

“MSA-ja po nënshkruhet me Kosovën si entitet jo-shtetëror, që do të thotë se Kosova nuk do të mund ta vazhdoje hapin tjetër drejt BE-se: pra aplikimin për anëtarësim në BE. Traktati i Evropës, artikulli 49 thotë që veç shtetet munden të aplikojnë për anëtarësim. MSA-ja e qartëson që Kosova nuk është shtet për BE-në”, thotë Shahini.

Ajo thotë se MSA-ja është e lidhur edhe me dialogun Kosovë-Serbi.

“MSA-ja është e ndërlidhur me dialogun me Serbinë. Dhe mund të suspendohet nëse Kosova nuk i plotëson pikat e marrëveshjes së Brukselit. Pra, ato që priten nga Kosova në mënyrë që të finalizohet MSA-ja kanë të bëjnë kryekëput me politikën e dialogut me Serbinë”, thotë ajo.

Por duke marrë parasysh që marrëveshja e Brukselit është ambivalente, frika sipas Shahinit është se aty mund të futen kërkesa të dëmshme për Kosovën të cilat Kosova duhet t’i plotësojë nëse dëshiron ta mbajë MSA-në.

Zëvendësministri për Integrime Evropiane, Ramadan Ilazi, hapin e fundit të Kosovës drejt MSA-së e vlerëson si të rëndësishëm.

“Komisioni Evropian tashmë ka miratuar Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asocim (MSA) dhe e ka dërguar të njëjtën në Këshillin e Ministrave të BE-së për miratim në mënyrë që Shtetet Anëtare të pajtohen për nënshkrimin e saj. Ky veprim i Komisionit shënon një hap të rëndësishëm përpara në procesin e integrimit evropian dhe në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian”, thotë zëvendësministri Ilazi.

Nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asocim, sipas tij, do të mundësojë krijimin e një baze kontraktuale të fortë për bashkëpunim dhe përafrim të mëtutjeshëm mes BE-së dhe Kosovës.

“MSA që do të nënshkruajmë është gjithëpërfshirëse, por ka dallime të veta specifike. Varet edhe cilat janë pritjet nga MSA, por ne kemi një situatë që pesë vende të BE-së ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, megjithëse këto pesë shtete gjithmonë kanë përkrahur perspektiven evropianë për Kosovën”, thotë më tej Ilazi.

Ai thotë se mënyra se si po trajtohemi Kosova me MSA-në është edhe një pasqyrim i zhvillimit të BE-së nëpërmjet Traktatit të Lisbonës që i lejon Bashkimit Evropian të bëjë marrëveshje me vende të treta në emër të vendeve anëtare.

Ilazi thotë se MSA-ja parasheh edhe obligime të shumta për Kosovën.

“Natyrisht, që MSA parasheh edhe obligime të shumta për institucionet e Kosovës. Këto obligime mbulojnë të gjitha fushat e qeverisjes së vendit tonë. Nga lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit deri te mbrojtja e mjedisit. Vetëm pas zbatimit të kënaqshëm të obligimeve të parapara, Kosova do të jetë në gjendje të aplikojë për statusin e kandidatit”, thotë Ilazi.

Në këtë drejtim ai thotë se Qeveria ka marrë vendim për fillimin e hartimit të Programit Kombëtar për Adoptimin e Acquis, dokument i cili do të parasheh të gjitha masat për zbatimin e obligimeve që rrjedhin nga MSA.

Fatmir Curri vlerëson se me këtë marrëveshje në rrafshin ekomomik Kosova dhe BE-ja do të krijojnë (gradualisht) një zonë bilaterale të tregtisë së lirë ku lëvizja e lirë e mallrave.

Në rrafshin ekonomik, përmes zbatimit të kësaj marrëveshjeje, BE dhe Kosova do të krijojnë (gradualisht) një zonë bilaterale të tregtisë së lirë ku lëvizja e lirë e mallrave (industriale dhe bujqësore), shërbimet, kapitali dhe liria e themelimit garantohen në mënyrë të dyanshme”, thotë Fatmir Curri. “Kosova do të përafrojë legjislacionin e saj me atë të BE-së dhe do të sigurojë zbatimin efikas të tij – veçanërisht do të sigurojë përputhshmërinë me rregullat e BE-së lidhur me konkurrencën, prokurimin publik, të drejtat e pronës intelektuale, mbrojtjen e konsumatorit, metrologjinë, kushtet e punës etj.”, shton ai.

Kjo marrëveshje, pasi të ratifikohet dhe hyn në fuqi, Curri thotë se do të obligojë të dy palët për një periudhë të ardhshme 10-vjeçare. Në fakt, sipas tij, qytetari i Kosovës nuk është se do ta ndjejë edhe aq shumë përfitimin, por ndoshta disa biznese tona që kanë kapacitete eksportuese po.

Për Besa Shahinin, MSA-ja i mundëson Kosovës vazhdimin e qasjes në tregun evropian.

“Me MSA, Kosovës i vazhdohet qasja në tregun evropian – përpara ka pasur përmes një politike tjetër tregtare të BE-së që quhet ‘Masat Autonome Tregtare’ dhe e cila skadon në Janar 2016. Kjo politikë ka qenë e njëanshme: produktet e Kosovës kanë hyrë në BE pa tarifa. MSA-ja ia heq tarifat edhe importeve nga BE-ja në Kosovë”, thotë Shahini.

Por duke marrë parasysh që në Kosovë nuk prodhohen shumë produkte që mund të konkurrojnë në tregun e BE-së, Shahini thotë se ato rrjedhimisht nuk mund të eksportohen.

Hapja e tregut evropian ndaj produkteve të Kosovës, sipas saj, në vetvete nuk do të sjellë përfitime ekonomike. Nevojiten politika përkrahëse për prodhuesit kosovarë në mënyrë që të krijojnë produkte konkurruese në BE.

Ndërsa zëvendësministri për Integrime Evropiane i Kosovës, Ramadan Ilazi, thotë se përmes MSA-së mundësohet liberalizimi i tregut midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

“Përmes MSA-së ne mundësojmë liberalizimin e tregut midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe kjo do të rrit konkurrueshmerinë e ndërmarrjeve tona dhe rrjedhimisht do të ofrohen çmimet më të lira dhe produktet dhe shërbimet më të mira drejtpërdrejt për qytetarin. Krahas kësaj të gjitha produktet industriale dhe bujqësore (përveç mishit dhe sheqerit) të Kosovës do të eksportohen në BE pa asnjë tarifë doganore”, thotë zëvendësministri Ilazi.

Sipas tij, Kosova do t’i mbrojë një numër të produkteve bujqësore dhe industriale nga importi për periudhë 5, 7 dhe 10 vjet. Janë gjithsej 14 produkte bujqësore për të cilat Ilazi thotë se kanë qenë të pa-negociueshme, gjë që do të thotë se tarifa do të mbetet e njëjtë (10%) për ato produkte.

Për më tepër, Kolegji i Komisionarëve të Bashkimit Evropian miratoi para pak ditësh paketën e dokumenteve të Marrëveshjes për Stabilizim- Asocim (MSA) për Kosovën dhe e dërgoi atë në Këshillin e Bashkimit Evropian.