Mospajtime Rreth Projektligjit për Konflikte të Armatosura
Projektligji për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë Kosovës nuk është miratuar sot nga Komisioni për punë të Brendshme dhe Siguri. Kjo për shkak se anëtarët e komisionit kërkuan që të propozohen disa amendamente konkrete para se projektligji të miratohet.
Kjo kërkesë nga ardhur nga deputeti Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi pasi që kërkoi të sqarohen edhe njëherë amendamentet e propozuara paraprakisht nga bashkëpartiaku Faton Topalli.
Selimi ka kërkuar të hiqet neni 2, pika 2 e Projektligjit për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë Kosovës. Sipas tij, ky nen ua mundëson qytetarëve serbë të Republikës së Kosovës, të cilët i kanë dyshtetësi, që të luftojnë jashtë Kosovës.
“Shumica e këtyre janë serbë të Kosovës nga të cilët tash për tash janë pjesëmarrës në luftëra të ndryshme, sidomos në Ukrainë, dhe ka pasur edhe në Libi shtetas të Kosovës të cilët njëkohësisht kanë edhe shtetësi të Republikës së Serbisë. Dhe në këtë rast ata i shmangen veprës penale me një pasaportë të Serbisë”, ka thënë Selimi.
Në nenin 2, pika 2 e Projektligjit për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë Kosovës thotë:
“Dispozitat e këtij ligji nuk zbatohen ndaj shtetasve të Republikës së Kosovës të cilët kanë shtetësinë e shtetit të huaj, dhe janë pjesë e ushtrisë ose formacionit ushtarak të tyre, ose shërbejnë në formacionet ushtarake nën kontrollin e qeverive ndërkombëtarisht të pranuara apo organizatave ndërkombëtare”.
Ai ka thënë që së bashku me Topallin do të konsultohet edhe njëherë, dhe si parti do të vijnë me propozime konkrete për amendamente.
Kurse deputetja Ganimete Musliu (PDK) tha se ky projektligj duhet që sa më shpejtë të procedohet në Kuvend për miratim marrë parasysh rëndësinë që ka.
Edhe deputeti Zafir Berisha (Nisma) ka kërkuar që ky projektligj të procedohet për miratim, mirëpo vetëm pasi të sqarohen paqartësitë.
Ndërkaq, kryetari i Komisionit, Dauti Haradinaj tha se në seancën e radhës do të bëhet votimi formal, pas marrjes me shkrim të amendamenteve. Por sipas tij, nuk do të lejohet të prishet përmbajtja e ligjit.
“Vërejtjet gjithsesi se do t’i trajtojmë edhe në propozimet për amandamentim. Por kisha thënë që propozimet duhet të bëhem me shkrim. Të gjithë kanë fol por askush nga deputetët nuk ka propozuar diçka me shkrim përveç Faton Topallit”, tha Haradinaj.
Kurse Rizah Shillova nga Ministria e Punëve të Brendshme tha se kur grupi punues i kësaj Ministrie ka diskutuar për ligjin për ndalim të bashkimit në konflikte të armatosura jashtë Kosovës, është menduar të shkohet me një ligj të shpejtë në mënyrë që të ndihmohen organet e ndjekjes për ta trajtuar këtë dukuri shqetësuese për sigurinë nacionale të vendit.
Në fund, të gjithë anëtarët e komisionit u pajtuan që në seancën e radhës të paraqiten amendamentet konkrete para se projektligji të shkojë në votim.