Ministria e Financave Ul Taksat Ndëshkuese Ndaj Borxhlinjve të Vonuar

Në pesëmbëdhjetëvjetorin e themelimit të Administratës Tatimore të Kosovës, Ministria e Financave uli normën e interesit për pagesat e vonuara tatimore nga 15 në 11 për qind.

Në takimin e organizuar për këtë përvjetor, ministri i Financave Avdullah Hoti lavdëroi Administratën Tatimore, duke thënë se institucioni që sot është nga më të konsoliduarit në Kosovë, në fillim ishte organizatë e vogël që mblidhte shumë pak të hyra tatimore.

Drejtori i përgjithshëm i ATK-së Behxhet Haliti e vlerësoi si të suksesshme punën e kësaj administrate në vitet e kaluara dhe premtoi se institucioni që drejton nuk do të ndalet me kaq.

“Kemi arritur suksese të mëdha në përmbushjen e misionit kryesor, pra, në ofrimin sa më të mirë të shërbimeve ndaj qytetarit, por kjo nuk do të thotë që ne do të ndalemi. Në të ardhmen na pret një punë edhe më e madhe,” u shpreh Haliti.

Pikërisht punë më të madhe kërkoi prej ATK-së edhe ministri Hoti.

“Ky vit është një vit kritik sa i përket të hyrave. Administrata Tatimore e Kosovës këtë vit duhet të performojë si asnjëherë më parë,” deklaroi Hoti.

Ministri u zotua se punonjësve të ATK-së nuk do t’u mungojë mbështetja qeveritare.

“Zyrtarët do të kenë mbështetjen dhe përkrahjen tonë. Askush nuk guxon të sulmojë zyrtarët, në të kundërt do të përballet me organet e shtetit,” bëri me dije Hoti.

Ai tregoi se ka ulur normën e tatimit ndëshkues për borxhlinjtë e vonuar të ATK-së.

“Me kompetencën që kam si Ministër i Financave, sot kam marrë vendim për uljen e normës së interesit për pagesat e vonuara tatimore nga 15 për qind sa ishte më herët në 11 për qind,” tha ministri Hoti.

Në takim morën pjese edhe përfaqësues të organizatave të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare.

 

Përfaqësuesit e FMN-së, USAID-it dhe GIZ-it premtuan se do të vazhdojnë t’i ofrojnë ATK-së asistencën teknike, në mënyrë që shërbimi ndaj qytetarit të jetë sa më kualitativ.

Fatih Sylka