Ministri Kërkon Zgjidhje për Kartonin e Gjelbër Para Ardhjes së Mërgimtarëve

Ministri i Diasporës Valon Murati në mbledhjen e Qeverisë tha se kosovarët që jetojnë jashtë vendit nëpër takimet që ka pasur me ta më së shumti janë ankuar rreth çështjes së kartonit të gjelbër.

Byroja Kosovare e Sigurimeve nuk është ende pjesë e Këshillit të Byrove Evropiane, prandaj në Kosovë nuk vlen kartoni i gjelbër, një certifikatë sigurimi për automjetet e vlefshme në të gjitha vendet anëtare.

Për këtë arsye kur hyjnë në Kosovë, kosovarët që jetojnë jashtë vendit duhet ta bëjnë pagesën e sigurimit për automjetet në mënyrë që në rast aksidentesh të mbulojnë dëmet e mundshme të palës tjetër.

Ministri Murati tha se bashkatdhetarët i irriton kjo pagesë e sigurimit.

“Çështja e Kartonit të Gjelbër është njëra prej problematikave që ata vazhdimisht e shtrojnë për zgjidhje. Nuk ka diçka që i irriton më shumë bashkatdhetarët tanë sesa pas udhëtimeve të gjata, kur hyjnë në atdheun e tyre, rruga duhet t’u zgjatet edhe me pagesën e sigurimit kufitar”, tha Murati.

Ministri kërkoi angazhim nga të gjitha institucionet që edhe Kosova të jetë pjesë e vendeve ku vlen kartoni i gjelbër, deri para muajit korrik kur mërgimtarët vijnë në pushim.

“Rekomandoj që në afat sa më të shkurtër të trajtoni mundësinë e krijimit të një grupi pune të përbërë nga institucionet relevante, që urgjentisht t’i trajtojë të gjitha zgjidhjet alternative që janë identifikuar deri më tani dhe që në bashkëpunim edhe me partnerët ndërkombëtarë, e sidomos me ndihmën e Komisionit Evropian, të gjendet mundësia për zgjidhjen e kënaqshme të kësaj problematike, së paku para korrikut të këtij viti”, u shpreh Murati.

Ai e pranoi se kjo çështje nuk është lehtë për t’u zgjidhur, pasi Kosova nuk është pjesë e OKB-së.

Murati bëri të ditur se më 26 dhe 27 maj mbahet mbledhja vjetore e Asamblesë së Këshillit të Byrove Evropiane të Sigurimit ne Poloni,ndërsa sipas tij një reagim nga ana e Kosovës do të mund të krijonte hapësira për zgjidhje të ndërmjetme.

Duke folur për gjetjen e një zgjidhjeje, ministrja për dialogun Edita Tahiri tha se në bisedimet e Brukselit është arritur një marrëveshje Kosovë-Serbi për njohjen reciproke të kartonëve të sigurimit.

“Në dialogun e Brukselit është një proces ku është arritur një marrëveshje dhe Serbia e vonon por ja kam shpjegu edhe Ministrit të Diasporës se kjo marrëveshje ka të bëjë me një njohje reciproke bilaterale të kartonëve të sigurimeve mes dy shteteve Kosovës dhe Serbisë,” tha Edita Tahiri.

Ajo sqaroi se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Byrove Evropiane është një proces tjetër.

“Procesi i anëtarësimit të Kosovës apo Byrosë Kosovare të Sigurimeve në Këshillin e Byrove Evropiane është proces tjetër i veçantë dhe nga aty do të burojë kartoni i gjelbër”, u shpreh ajo.

Ministrja Tahiri tha se anëtarësimi në këtë këshill nuk është punë e lehtë.