Ministri i Shëndetësisë Ua Heq Ferizajasve Frikën nga Gripi i Derrit

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani të dielën në Ferizaj kërkoi që të mos krijohet panik nga gripi i derrit. Ai vizitoi komunën, një qytetar i së cilës vdiq nga ky virus, bashkë me Isuf Dedushajn nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Duke shprehur ngushëllime për jetën e humbur, Rrahmani bëri me dije se gjendja është nën kontroll.

“Jemi këtu që t’ju garantojmë se çdo gjë që është në kompetencë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe organeve tjera relevante është e siguruar, qoftë me barna, qoftë me gatishmërinë e personelit dhe aparaturën e nevojshme,” tha Rrahmani.

Ministri ua kujtoi ferizajasve se në këtë qytet janë vetëm dy raste të diagnostifikuara me këtë virus.

“Ne sot flasim me fakte janë dy raste të vërtetuara me praninë e virusit të gripit të derrave dhe që nuk flet për një mundësi të krijimit të panikut ose të mosgatishmërisë së institucioneve shëndetësore për t’i dalë në ballë çdo problematike eventuale të mundshme,” deklaroi Rrahmani.

Isuf Dedushaj nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik shpjegoi se është vështirë të luftohet gripi sezonal dhe ai i derrit për shkak të mënyrës se si përhapen.

“Është shumë normale që kur ndodh ndonjë e keqe me qenë afër  qytetarëve. Më vjen keq që e ka humbur jetën një qytetar i Ferizajt. Duhet ditur se gripi është sëmundje e rëndë dhe masat mbrojtëse kundër gripit janë shumë të kufizuara për arsye se sëmundja përhapet me ajër”, tha Dedushaj.

Megjithatë ai përmendi mënyrat e parandalimit të gripit. Kërkoi ajrosje të hapësirave, marrje të lëngjeve, vitaminës C dhe në rastet më të rënda drejtimin e të sëmurëve në institucionet shëndetësore.

Kryetari i Ferizajt Muharrem Svarqa si ministri Rrahmani porositi banorët e kësaj komune që të mos shqetësohen.

“Në takimin që patëm ka qenë vlerësim i përbashkët se nuk ka vend për shqetësim për qytetarët e Ferizajt për ndonjë rrezikshmëri për ndonjë pandemi apo epidemi, sepse një situatë pandemike nuk ekziston askund në botë por as edhe te ne,” tha Svarqa.

Ai virusin H1N1 e konsideroi të ardhur nga vendet tjera.

“Ne kemi vlerësuar edhe sot se virusi nuk është autokton, por ka mundësi të jetë i bartur, ngase pacientët kanë lëvizur jashtë shtetit si në Maqedoni e Shqipëri. Ne do të sillemi konform situatës në parandalimin këtij gripi,” siguroi Svarqa.