Me Trup në Kroaci, me Mendje në Gjermani

Refugjatët nga Siria dhe Iraku të cilët arritën në kryeqytetin e Kroacisë pasi që Hungaria mbylli kufirin e saj thanë që donin të vazhdojnë udhëtimin e tyre të rëndë për në Gjermani në kërkim të një të ardhme më paqësore dhe prosperuese.

“Po shkoj në Gjermani për të studiuar mjekësi. Të bëhem një dentist” – tha Alaa Shahwan, një student i stomatologjisë nga Universiteti Aleppo në Siri, u tha gazetarëve jashtë një qendre azili pasi mbërriti në Zagreb.

Të martën, pas mbylljes së kufirit me Serbinë, nga ana e Hungarisë, 11,000 njerëz hynë në Kroaci gjatë të mërkurës dhe të enjtes, duke ndikuar që edhe policia kroate të mbyllë kufirin e saj me Serbinë në mënyrë që të ndalohen më shumë ardhje.

“Mos ejani më këtu, qëndroni në qendrat e paraburgimit në Serbi, Maqedoni dhe Greqi. Kjo nuk është rruga drejt Evropës,” tha të enjten pasdite Ministri i Brendshëm kroat Ranko Ostojiç. Kroacia  e ka ndaluar përkohësisht pranimin dhe regjistrimin e refugjatëve të cilët më parë ishin lejuar të vazhdonin udhëtimin e tyre drejt Sllovenisë dhe Evropës Perëndimore.

Presidentja e Kroacisë Kolinda Grabar Kitaroviç e shpjegoi këtë veprim duke thënë se “gjatë ditës së parë shumë refugjatë hynë në shtet pa kontroll”. Ajo tha se siguria e qytetarëve kroatë është prioritet i saj. Ministri kroat i mbrojtjes, Ante Kotromanoviç tha se tani për tani nuk ka arsye për panik, por nëse është e nevojshme, ushtria kroate do të zhvendoset në kufirin me Serbinë në mënyrë që të mbrojnë “interesat kombëtare”.

Edhe Sllovenia ka vendosur të vendosë kufizime në refugjatët dhe ka kërkuar që qindra prej tyre të kthehen në Kroaci. Hungaria në ndërkohë ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në qarqet përgjatë kufirit të saj me Kroacinë, pasi bëri të njëjtën gjë me Serbinë të martën.

Njëri nga refugjatët që ka mbërritur në Kroaci, emri i të cilit është Alaa, tha se mbërriti në Kroaci të mërkurën në një qendër azili në Zagreb ku ai ishte regjistruar dhe të nisej pastaj për Evropën Perëndimore.

Kur u pyet se pse e braktisi Sirinë, ai  e dha një përgjigje të shkurtë: “Lufta, Vrasjet.”

Ai shpjegoi që i ka marrë kohë një muaj që të mbërrijë në Kroaci nga Aleppo, duke kaluar Turqinë, Greqinë, Maqedoninë dhe Serbinë. Ai tregoi që refugjatët kishin përdorur të gjitha llojet e transportit: anije, autobus, taksi dhe në këmbë.

“Në Serbi, një taksi na morri 500 euro për një udhëtim të shkurtër”, tha ai, duke shtuar se ai ende nuk ka para të mjaftueshme që të niset për destinacionin e ardhshëm – Gjermaninë. Ai dhe të gjithë refugjatët e tjerë kërkuan të lidheshin me internet në mënyrë që ti kontaktojnë familjarët.

Pas shkëmbimit të disa mesazheve me zë nëpërmes WhatsApp-it me familjen e tij, për t’u treguar që ka mbërritur në Kroaci dhe që është mirë, Alaa tregoi planin e tij për ta ribashkuar familjen e tij.

 

“Për një vit, do t’u dërgoj ftesë dhe t’i sjellë të gjithë në Gjermani”, shtoi ai.

Një refugjat tjetër nga Siria ia tregoi fotografitë familjes së tij në Siri duke thënë: “Faleminderit Kroaci.”

Jashtë qendrës së azilit, një tetëvjeçar nga Siria buzëqeshi para kamerave bashkë me axhën e tij tetëmbëdhjetë vjeçar të quajtur Abel.

“Ne po shkojmë në Gjermani”, tha Abeli.

Shumica e refugjatëve në qendër kanë pasaporta dhe letërnjoftime të Sirisë, disa nga ta, nga qyteti i Idlib në veri-perëndim të Sirisë, thanë ata për gazetarët.

Një sirian i ri tha që ai ka qenë një kick-boxer dhe shprehu dëshirën që ta vazhdojë karrierën në Evropë.

Një grup burrash të Irakut ndërkohë e treguan një video të udhëtimit të tyre në Detin Mesdhe në një anije të vogël.

Pasi kaloi një kohë, të gjithë refugjatët filluan të largohen nga qendra dhe vazhduan për në rrugën kryesore drejt qendrës së qytetit, me shpresë se do të gjejnë trena dhe autobusë që do t’i transportonin ata për në Slloveni dhe një hap më afër Gjermanisë.