Me Proverba Popullorë Kërkohet Pafajësia e ish-Zyrtarit
Në rastin e gjykimit për Parkun e Biznesit në Drenas avokati dhe i akuzuari kërkuan pafajësinë duke përdorur proverba.
Në seancën e sotme kundër katër ish-zyrtarëve të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe një biznesmeni, fjalën përfundimtare e paraqitën Bajram Tmava, avokati i Nexhat Krasniqit dhe vetë ky i akuzuar.
Nexhat Krasniqi bashkë me tre zyrtarët tjerë të MTI-së akuzohen për shpërdorim detyre ose të autorizimit, ndërsa biznesmeni për keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi.
Avokati Bajram Tmava përdori një proverb popullor në fjalën e tij përfundimtare.
“Duke u nisur nga një proverb popullor, po them se kjo çështje penale mbrapsht është nisur dhe mbrapsht do të përfundojë, për arsye se krejt provat që gjenden në shkresat e lëndës janë bazuar në një kallëzim penal të ushtruar nga dy persona në kuadër të ministrisë që në fillim janë dëgjuar në cilësinë e dëshmitarëve dhe pastaj janë bërë të akuzuar,” tha Tmava.
Ai kërkoi pafajësi për të mbrojturin e tij.
“Kërkoj nga gjykata që të mbrojturin tim konform dispozitave ligjore ta lirojë nga akuza,” tha Tmava.
Përveç Tmavës, fjalët e tij i tha edhe i akuzuari Nexhat Krasniqi.
“I tërë ky rast është i bazuar në vetëm një deklaratë që është kontradiktore, e pavërtetuar deri në fund, e cila ishte dhënë nga Hilmi Bellopoja dhe të cilën edhe ai vetë më pas e ka kundërshtuar. Unë besoj në vlerat e drejtësisë evropiane dhe praktikat e saj dhe kërkoj nga ju trup gjykues të hedhni poshtë të gjitha pikat e akuzës dhe kërkoj lirimin tim nga këto pika të akuzës me vendim meritor,” tha Krasniqi.
Ai po ashtu kërkoi lirimin e tij përmes një thënie popullore.
“Të dënohet një i pafajshëm është sikur të dënohet i gjithë njerëzimi, ndërsa të shpëtohet një i pafajshëm është sikur të shpëtohet i gjithë njerëzimi,” tha Krasniqi.
Krasniqi, Sadri Hykosmani, Safet Fazliu dhe Adem Zogiani ishin zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë të akuzuar në këtë proces, ndërsa Hilmi Bellopoja është një biznesmen i akuzuar për dhënie të ryshfetit.
Ish zyrtarët e MTI-së akuzohen për shpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me projektin e “Parkut të Biznesit” në Drenas, ndërsa Hilmi Bellopoja si pronar i Kompanisë “Eltoni” për keqpërdorim të udhëzimeve në ekonomi të lidhura me këtë park.
Parku i Biznesit, më i madhi i këtij lloji në vend, i shtrirë në 24 hektarë të tokës së Drenasit, njëzet kilometra larg nga Prishtina në drejtim të Pejës, nisi të ndërtohej nga MTI-ja në nëntorin e vitit 2005 për të përfunduar në dhjetor të 2007-ës.
KALLXO.com-i e ndoqi në vazhdimësi këtë gjykim.