Me Kërkesa dhe Shqetësime Egjiptianët Festojnë Ditën e Tyre

Në Kosovë sot u shënua dita e komunitetit egjiptian. Zyra për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit organizoi takim me pjesëtarë të këtij komuniteti me ç’ rast u shpalosën sfidat me të cilat po përballen egjiptianët në Kosovë.

Deputeti nga Partia Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, tha se komuniteti egjiptian në Kosovë ka njerëz me përgatitje akademike. Mirëpo ai tha se pavarësisht përgatitjeve ata ende përballen me vështirësi ekonomike.

“Statistikat flasin se gjendja e tyre ekonomike ka mbetur e pandryshuar. Shumica e familjeve në Kosovë akoma në masë të madhe financohen dhe mbijetojnë duke u mbështetur nga familjarët që jetojnë dhe veprojnë në diasporë”, tha deputeti Berisha.

Ndërkaq, zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim, Jollxhi Shala, tha se Ministria e tij ka planifikuar që rreth 60 familje egjiptiane t’i mbështesë për rindërtimin e shtëpive.

“Në Kosovë deri në fund të dhjetorit 2014 janë kthyer 48 familje me gjithsej 254 anëtarë të familjes, 21 familje nga IJRM-ja dhe 27 familje nga Mali i Zi. Kanë mbetur 12 familje në procesin e kthimit nga Mali i Zi në Gjakovë”, tha zëvendësministri Shala.

Në këtë drejtim, zëvendëskryeministri i Kosovës, Kujtim Shala, u zotua se qeveria e Kosovës do ta mbështesë këtë komunitet.

“Shoqëria dhe qeveria e Kosovës janë të përkushtuara për ndërtimin e një shteti në të cilin të gjitha komunitetet i gëzojnë të drejtat e tyre”, theksoi Shala.

Gjatë këtij takimi u përmend se vetëm 14 egjiptianë janë të punësuar në institucionet publike. Ndërkaq, sot për herë të parë fillon emisioni “Spektri Egjiptian”, i cili do të transmetohet në Radiotelevizionin e Kosovës (RTK).