Mbyllet Seanca me Disa Projektligje të Miratuara, Zhurmë dhe Tym

Pas tri përpjekjeve, deputetët e Kuvendit miratuan projekt-ligjet e para për seancën vjeshtore të sivjetme, nën zhurmën e filikaçave të deputetëve opozitarë, grindjet dhe gotat e ujit të shpërndara ndaj kryesuesit të seancës.

Por për ta bërë të mundur votimin, drejtuesit e Kuvendit kishin përgatitur një skenar special, që u tregua më i frytshëm se skenari i opozitës për ta pamundësuar mbajtjen e seancës.

Në pamundësi për ta menaxhuar mbledhjen nga karriga e tij, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, e dorëzoi përgjegjësinë e moderimit te anëtari i kryesisë, Xhavit Halili i cili veç ishte ulur në mes të grupit parlamentar të PDK-së.

Në rrethana të jashtëzakonshme, Haliti i shkoi procedurës deri në fund.

11:51

U miratua me 64 vota për edhe Projektligji për Treguesit Gjeografik dhe për Emërimet e Origjinës, si dhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik.

Gjithashtu me 64 vota kaloi në Kuvend Projektligji i Fondit Kosovar për Dizajnin Industrial.

11:30

Projektligji për Zonën e Mbrojtur Mjedisore në Komunën e Obiliqit u miratua në Kuvend, nën fishkëllimat e deputetëve opozitarë.

Projektligji u miratua me 61 vota për e asnjë kundër, ndërsa të pranishëm ishin 94 deputetë.

11:02

Shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi tha se deri në realizimin e kërkesave të tyre do të vazhdojnë të bllokojnë seancën e Kuvendit me të gjitha forcat dhe të gjitha mjetet.

“Kjo qeveri ka vetëm dy mundësi: ose tërheqje ose dorëheqje. Ne i thërrasim që të tërhiqen nga nënshkrimet e dëmshme për Kosovën dhe të kthehen në Kuvend ku do të vazhdojmë punën tonë pozitë opozitë, mirëpo jo në këtë formë, jo duke pretenduar që të improvizohet normalitet”, deklaroi Kadaj.

Ndërkaq, shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Glauk Konjufca tha se depotët e pozitës e kanë tradhtuar betimin e deputetit nuk ka më numra të këtij koalicioni PDK-LDK.

“Marrëveshja për ‘Zajednicën’ është tradhti kombëtare dhe shitja e interesave shtetërore dhe këtë përpjekje të pozitës mund ta kuptojmë si një përpjekje për ta mbrojtur Republikën prej uzurpatorëve,” tha Konjufca.

10:23

Deputetët opozitarë të Kuvendit të Kosovës nuk janë ulur as sot në ulëset e tyre në sallë të Kuvendit, por kanë zënë hapësirën para foltores duke pamundësuar mbajtjen e seancës për të tretën herë rresht.

Duke e parë të pamundur zhvillimin e seancës, kryetari i Kuvendit kërkoi 10 minuta pauzë, ndërsa i ftoi gazetarët të hyjnë në sallën e Kuvendit për të xhiruar pamjet nga seanca e bllokuar.

Ndërsa deputetët e opozitës kanë filluar t’i përdorin filikaqat për ta pamundësuar mbajtjen e seancës.

09:03

Sot rreth orës 10:00, pritet të vazhdojë seanca plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e cila të enjten e kaluar u bllokua nga subjektet opozitare.

Deputetët e opozitës bllokuan seancën me trupa fizikë, të cilët u zhvendosën te foltorja.

Kryetari i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, kishte deklaruar se deputetët opozitarë nuk do ta lejojnë zhvillimin e seancës.

Pas tensioneve të larta të opozitës për ta bllokuar “fizikisht” seancën e javës së kaluar, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli pati vendosur që të ndërpritet seanca.

Ndryshe, edhe gjatë kësaj jave, deputetët opozitarë nuk kanë marrë pjesë në komisione e as në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit.

Deputeti dhe kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), Haxhi Shala, pati thënë për KALLXO.com, se është vendim i opozitës që deri në realizimin e kërkesave të tyre nuk do të marrin pjesë në komisione dhe aktivitete të Kuvendit.

Gjatë mbajtjes së seancës së sotme, pritet të shqyrtohen disa projektligje të cilat janë zvarritur qe disa javë siç janë, Projektligjit për Letërnjoftimin, Ratifikimi i Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut, Projektligji për Themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, si dhe projektligje të tjera.