Marrëveshja mes Nismës e LDK-së në Malishevë Zhbllokon Zgjedhjen e Kryesuesit

Pas shumë përpjekejve e bisedimeve është arritur sot marrëveshja për ndarje të pushtetit komunal në Malishevë mes Nismës dhe LDK-së. Kjo marrëveshje ka qenë e nevojshme për zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit Komunal, pasi Enver Hoti që deri tash kryente këtë detyrë është bërë deputet i Kuvendit të Kosovës.

Sipas marrëveshjes, LDK-ja në bashkëqeverisje me Nismën në Malishevë do të udhëheqë tri drejtori dhe do ta mbajë postin e nënkryetarit të komunës.

Nga drejtorë të LDK-së do të drejtohen Drejtoria e Administratës, ajo e Urbanizmit dhe Gjeodezisë e Kadastrës.

Marrëveshjen e konfirmoi për KALLXO.com Sami Kafexholli, sekretar i LDK-së për Malishevë, ndërsa ajo do të fillojë të zbatohet nga 9 marsi.

Marrëveshja u bë e domosdoshme, pasi Kuvendi Komunal shtyu mbledhjen e sotme ku duhej të zgjidhej kryesuesi i tij, ngase Enver Hoti kryesuesi i deritashëm i asamblesë malishevase u bë deputet i Kuvendit të Kosovës.

Më herët dështoi marrëveshja mes këtyre dy subjekteve, pasi LDK-ja përveç tri drejtorive dhe nënkryetarit, kërkonte edhe postin e kryesuesit të Kuvendit Komunal. Këto dy subjekte në asamblenë e Malishevës prej 31 këshilltarëve kanë 18 asamblistë.

Mbledhja e jashtëzakonshme e asamblesë ku pritet të zgjidhet kryesuesi i saj është paraparë të zhvilohet nesër.

15:34

Rikthehet Problemi i Zgjedhjes së Kryesuesit të Kuvendit të Malishevës

Pasi kryesuesi aktual i Kuvendit Komunal të Malishevës Enver Hoti është bërë deputet i Kuvendit të Kosovës, në Malishevë është hapur “beteja” për postin e tij.

Mbledhja e Kuvendit të Komunës së Malishevës për zgjedhjen e kryesuesit të tij është shtyrë, për shkak të vazhdimit të konsultimeve mes subjekteve politike në kërkim të gjetjes së një kryesuesi konsensual.

Këtë e ka treguar Avdi Morina, shefi i grupit të Iniciativës Qytetare për Malishevën (IQM), paraardhëse e Nismës që ka më së shumti asamblistë komunalë.

“Grupi i IQM-së, kërkon edhe 24 orë kohë për vazhdimin e konsultimeve me subjektet tjera për zgjedhjen e një kryesuesi konsensual,” shpjegoi Morina.

Iniciativa Qytetare për Malishevën ka dhjetë këshilltarë në Kuvendin Komunal të kësaj komune që përbëhet nga 31 asamblistë.

Shtyrja e mbledhjes së asamblesë ka ardhur pasi ka dështuar përpjekja për koalicion mes Nismës për Kosovën dhe LDK-së në pushtetin lokal në Malishevë.

Të dy taborët i kanë konfirmuar bisedimet gjatë ditës si dhe dështimin e përpjekjeve.

Januz Kastrati kryetar i Degës së LDK-së ka bërë më dije se nuk është arritur marrëveshje me Nismën për ndarje drejtorishë dhe pozitash në pushtetin eventual dhe bisedimet kanë dështuar për sot.

“Sot nuk u arrit marrëveshje dhe tani varet vetëm nga Nisma nëse do të ketë diçka të re deri nesër në fillim të mbledhjes ku parashihet zgjedhja e kryesuesit të Kuvendit Komunal”, tha Kastrati.

Burime të afërta me bisedimet kanë thënë se në tavolinën e bisedimeve ka qenë dhënia e 3 drejtorive dhe pozita e nënkryetarit të komunës për LDK-në, por LDK-ja kërkon edhe kryesuesin e asamblesë komunale për të cilën nuk po pajtohet Nisma.

LDK-ja ka tetë këshilltarë në Kuvendin e Malishevës.

Kryetari i Nismës për Kosovën në Malishevë, njëherësh kryetar i komunës, Ragip Begaj po ashtu e ka konfirmuar dështimin e përpjekjeve.

Begaj nuk ka mundur të thotë në orët e mbrëmjes nëse do të ketë edhe një përpjekje për arritjen e ujdisë me LDK-në nesër, para se të fillojë mbledhja e kuvendit.

Për nesër në një mbledhje të jashtëzakonshme është paraparë zgjedhja e kryesuesit të Kuvendit Komunal të Malishevës pasi kryesuesi i deritashëm Enver Hoti nga Nisma ka shkuar në postin e deputetit të Kuvendit të Kosovës.

Nisma nuk i ka numrat për zgjedhjen e përfaqësuesit të saj për kryesues dhe është e detyruar të bëjë marrëveshje me ndonjërin nga subjektet.

Në të kundërtën mund të zgjidhet një përfaqësues i opozitës nëse subjektet opozitare arrijnë të merren vesh, ose Malisheva shkon në zgjedhje të reja për Kuvendin Komunal.

Edhe kur Enver Hoti u bë kryesues i Kuvendit Komunal të Malishevës më 23 janar 2014, ai mezi u zgjodh një ditë përpara se të kalonte afati ligjor i zgjedhjes se tij në këtë post.

Ligji për Vetëqeverisje Lokale parasheh që nëse një muaj pas konstituimit të asamblesë komunale, nuk zgjidhet kryetari i saj, asambleja shpërndahet dhe organizohen zgjedhje të reja.