Lunacek: Strategjia e Kosovës për UNESCO nuk Ishte e Përgatitur Mirë

Nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, tha sot se secila nga marrëveshjet eventuale të arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, duhet të votohen nga Kuvendi i Kosovës.

Në pikëpamjen e Lunacek, në këtë rast bëhet fjalë për marrëveshje ndërshtetërore.

“Është një marrëveshje mes dy shteteve dhe sipas mendimit tim, kërkon votën parlamentare”, tha Lunacek gjatë një konference për shtyp sot në Prishtinë.

Por ajo kritikoi veprimet e opozitës në Kuvend dhe jashtë tij.

“Opozita shpresoj të kthehet në parlament e jo të provojë ndonjë formë të dhunës. Dhuna nuk më pëlqen as jashtë parlamentit, e jo më brenda parlamentit. Hedhja e gazit dhe vezëve në parlament është krejtësisht e papranueshme për mua”, tha ajo.

Por eurodeputetja nga Austria ka kërkuar edhe nga qeveria që ta mbajë të informuar Kuvendin për dialogun dhe marrëveshjet me Serbinë.

“Mendoj se do të ishte mirë që qeveria t’i drejtohet parlamentit dhe t’i tregoj se si synon ta bëjë dialogun”, tha ajo.

Duke folur për dështimin e Kosovës që të pranohet në UNESCO, Lunacek tha se strategjia e Prishtinës “nuk ishte e përgatitur mirë”.

“Kosova ka 24 ambasada në shtete tjera, por 6 nga to nuk kanë ambasadorë. Ato punojnë me të ngarkuar me punë… Kosova duhet të sigurohet që të mos i mungojnë më 3 vota”, tha ajo.