Lipjani i bashkohet trendit të rritjes së çmimit të bukës

Çmimi i bukës që është konsum elementar në Kosovë, është rritur edhe në qytetin e Lipjanit.

Përderisa në shumë komuna të Kosovës si në Prizren, Kaçanik, Gjilan e Prishtinë, çmimi i bukës është shtrenjtuar për 10 cent, në Lipjan shumica e furrtarëve kanë vendosur që bukën ta shesin me 30 cent, apo 5 cent më shumë nga 25 cent sa ishte fillimisht.

Pronari i Furrës “Pashtriku” në Lipjan, Halit Llutaj, tha për KALLXO.com se tash e 10 ditë e kanë shtrenjtuar bukën nga 25 cent në 30 cent.

“Arsyeja është që çmimi i miellit ka shkuar shumë shtrenjtë, nga 25 cent ka shkuar në 36 cent për kilogram. Për këtë arsye ne e kemi rritur bukën në 30  dhe nuk kemi shkuar në nivelin 35 ose 40 cent sikur në Prizren, Pejë e në të tjera vende. Vetëm lënda e parë ka hipë shumë, a është arsyeja për në kufi që i kanë bllokuar produktet, nuk e dimë ne”, tha ai.

Furrtari thekson se përveç miellit, ka vërejtur edhe shtrenjtim të vajit dhe produkteve të tjera ushqimore.

“Përveç miellit, edhe vaji është shtrenjtuar për 20 cent. Tash e bleva, vaji ishte bërë 1 euro më i liri, ndërsa më herët ka qenë 80 cent vaji “Premium”. Përveç vajit edhe produktet e tjera ushqimore janë shtrenjtuar për 15 për qind.  Nëse çmimet rriten edhe ne do të shkojmë tutje. Ne nuk jemi as afër çmimit krahasuar me miellin që është shtrenjtuar, sepse duhet t’i paguajmë shpenzimet, qiranë, punëtorët, naftën, transportin e të gjitha”, tha ai.

Pronari i furrës së bukës “Pashtriku”,  shton se nuk ka pasur koordinim me kolegët e tij furrtarë në Lipjan, për ndryshimet e çmimeve në treg, për shkak të konkurrencës.

“Nuk jemi takuar me furrtarët e tjerë, por secili individualisht i kemi rritur çmimet e bukës. Nuk flasim me njëri-tjetrin, për shkak të konkurrencës. Në rast se do të kishim folur, ndoshta çmimi do të shkonte në 40 cent”, thotë ai.

Halit Llutaj thekson se me prejardhje është nga Hasi i Przirenti, ndërsa në Lipjan biznesin e kanë hapur bashkë me familjarët katër vite më parë.

Çmimi i bukës ka pësuar ndryshime edhe në furrën “Drini i Bardhë” në Lipjan, të cilët veprojnë në këtë qytet me tri pika shitëse.

Shitëset në këto furra në kushte anonimiteti, thanë për KALLXO.com se që nga dje më 26 nëntor 2018 çmimin e bukës e kanë rritur nga 25 në 30 cent.

KALLXO.com ka provuar të marrë qëndrim edhe nga menaxherë të kësaj furre për arsyet e rritjes së çmimit, por të njëjtit nuk i janë përgjigjur interesimit të medias, duke thënë se nuk kanë çfarë të flasin.

Edhe furra “Fati” në Lipjan e ka ngritur çmimin e bukës për 5 cent.

Shitësja në këtë furrë, tha për KALLXO.com se që nga dje çmimi i bukës në këtë furrë është 30 cent.

“Me sa kam informacione, furrtarët e Lipjanit para 10 ditësh kanë vendosur t’i ndërrojnë çmimet e bukës dhe kjo ka ardhur për arsye të rritjes së çmimit të miellit. Për momentin nuk kemi rritje të produkteve të tjera, por një gjë e tillë pritet të ndodhë”, tha ajo në kushte anonimiteti.

Për dallim nga furrat paraprake, Bukatore “Sara” në Lipjan nuk e ka rritur çmimin e bukës.

Djali i pronarit të kësaj furre, Bardh Binaj tha për KALLXO.com, se prej një viti kur kanë filluar punën kanë qenë të parët në Lipjan që çmimin e bukës e kanë pasur 0.30 euro.

Binaj shton se për momentin nuk kanë vendosur për rritje çmimesh edhe pse miellin e kanë blerë shumë më shtrenjtë.

“Prej fillimit buka te ne ka kushtuar 30 cent dhe kështu vazhdon të jetë, edhe pse është rritur kostoja e miellit. Njëherë nuk do ta ndryshojmë. Te shohim si po shkon kjo dhe nëse mund t’i mbulojmë shpenzimet. Ne marrim miell nga Devolli. Edhe këtë herë na e kanë sjell porosinë, por me çmim shumë më shtrenjtë se zakonisht”, theksoi Binaj.

Çmime të ndryshme të produkteve të miellit në furrat e bukës në Lipjan

Përderisa çmimi i bukës ka shënuar rritje në shumicën e furrave të bukës në Lipjan, një gjë e tillë nuk ka ndodhur me produktet e tjera të miellit.

Megjithatë, nëpër biznese produktet siç janë xhevrekët, kiflet dhe burekët kanë dallime në çmime.

Në furrën e bukës “Pashtriku” nuk kanë ndryshuar çmimet e produkteve të tjera të miellit, siç janë kiflet, xhevrekët, por pronari Halit Llutaj thotë për KALLXO.com, se ekziston mundësia që edhe ato të shtrenjtohen pas shtrenjtimit të miellit.

Bureku në këtë furrë e ka çmimin 0.70 euro, buka e misrit 0.50 euro, kiflja e mbushur 0.25 euro, xhevreku kushton 0.20 euro, kiflja picë dhe ajo me virshlle e kanë çmimin 0.30 euro, ndërkaq jogurti dhe ajrani kushtojnë nga 0.30 euro.

Në furrën “Fati” vërehen disa ndryshime në çmimet e këtyre produkteve, krahasuar me furrën “Pashtriku”.

Çmimi i xhevrekut tek “Fati” është 0.15 euro, kifle e mbushur 0.25 euro,  bureku 0.75 euro. Sipas shitëses në këtë biznes pas rritjes së çmimit të miellit e të bukës, pritet që e njëjta të ndodhë edhe me produktet e tjera që shiten nga ta.

Ndërkaq në  bukatore “Sara”, xhevreku ka çmimin 0.20 euro, pica shtëpiake 0.50 euro, kiflet nga 0.25 euro dhe bureku 0.70 euro.

Kurse, disa qytetarë të Komunës së Lipjanit thanë për KALLXO.com, se nuk e mirëpresin vendimin që buka të shtrenjtohet as për 5 cent e lëre më tepër, për shkak të standardit të jetesës.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me shtrenjtimin e bukës në disa qytete të Kosovës, këtë muaj.

https://kallxo.com/shtrenjtohet-buka-ne-prizren/

https://kallxo.com/cmimi-i-bukes-mund-te-rritet-edhe-me-shume-furrtaret-kane-pak-rezerva-te-miellit/