Liderët Opozitarë Nënshkruajnë Peticionin Kundër Asociacionit dhe Demarkacionit

Liderët e “Vetëvendosjes”, AAK-së dhe Nismës nënshkruan sot peticionin kundër marrëveshjeve me Serbinë dhe demarkacionit me Malin e Zi.

Visar Ymeri, kryetari i “Vetëvendosjes” bëri thirrje që rreth peticionit të mblidhen të gjithë zërat kundërshtues.

“Peticioni i qytetarëve është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe u bëjmë ftesë të gjithë aktorëve politikë, të gjithë zërave kundërshtarë dhe të gjithë qytetarëve që mendojnë që këto marrëveshje janë të dëmshme për vendin dhe që i shohin këto marrëveshje si të papranueshme për vendin, që të bëhen pjesë e këtij peticioni,” tha Ymeri.

Kreu i AAK-së Ramush Haradinaj peticionin e konsideroi një kundërshtim të dokumentuar të marrëveshjeve.

“E para çka është shumë me rëndësi është që ne të kemi një fakt në duar e t’u tregojmë misioneve të vendit që s’pajtojmë më këto marrëveshje bankrotuese. Pastaj si do të veprojmë me peticionin të gjitha rrugët e parapame  do t’i ndjekim që ky peticion ta mrrijë fuqinë e vet që të ndodhë kundërshtimi,” tha Haradinaj.

Lideri i Nismës Fatmir Limaj tregoi në çfarë rastesh ndodhin peticionet.

“Peticioni është një instrument demokratik që zakonisht përdoret kur qeveria vepron në kundërshtim me interesat e qytetarëve dhe nuk u ofrohet mundësia qytetarëve të shprehen,” tha Limaj.

Marrëveshjet për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe, lirinë e lëvizjes mbi urën e lumit Ibër, energjinë dhe telekomunikacionin u nënshkruan në pako më 25 gusht të këtij viti.

Marrëveshja për përcaktimin e vijës kufitare Kosovë-Mali i Zi u nënshkrua një ditë më vonë në Vjenë.

Peticioni do të vazhdojë të nënshkruhet edhe ditëve të ardhshme, ndërsa nuk është caktuar ndonjë afat kohor se kur do të përfundojë.