Libri i Vesel Latifit Shtyn UP-në Ta Rishqyrtojë Literaturën e Vjetruar

Universiteti i Prishtinës do t’i shqyrtojë librat universitarë pas reagimeve të shumta rreth një libri të Fakultetit Juridik që përfshinte përshkrime seksiste të grave të cilat raportojnë dhunën seksuale, ka njoftuar një këshilltar i rektorit.

Ditëve të fundit, pjesë nga libri “Kriminalistika” i profesorit të pensionuar Vesel Latifi qarkulloi në Facebook dhe në mediat kosovare, deri sa 11 organizata të shoqërisë civile qarkulluan një letër përmes së cilës ftuan Universitetin e Prishtinës që ta largojë këtë libër nga plan-programi.

Një kapitull i këtij libri përshkruan viktimat e dhunës seksuale si “femrat që gënjehen lehtë, te pakujdesshme, mendjelehta, dhe të përdala, rrethanat të cilat sjellin me vete edhe një situatë viktimogjene.”

Igballe Rogova, Drejtoreshë e Rrjetit Kosovar të Grave, ka thënë se përshkrime të tilla janë të dëmshme për gruan.

“Është posaçërisht për të ardhur keq për një shoqëri që ka kaluar luftën dhe dhunimet që të ketë një libër të tillë universitar.  Jam shokuar kur e kam parë këtë,” ka thënë ajo.

“Kriminalistika” nuk duket se paraqet përfundime të bazuara në qasje moderne të kriminologjisë ose nga të dhëna të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që tregon se praktika e dhunës seksuale mund të ketë edhe në martesa dhe në lidhje mes çifteve.

Por, profesori në Fakultetin Juridik, Haki Demolli, mbrojti këtë libër përmes rrjetit Facebook, duke thënë se përkufizim i dhënë nga autori argumentohet nga “praktika botërore e kriminalistikës dhe me evidencat statistikore mbi krimin.”

“Literatura shkencore sikurse kriminalistike ashtu kriminologjike, ka trajtuar edhe shumë e shumë raste te kësaj natyre, andaj thellësisht jam i bindur se profesori ynë i nderuar Vesel Latifi më plot të drejtë ka vlerësuar në librin e tij,” ka shkruar Demolli.

Nita Luci, profesoreshë e Antropologjisë, thotë se është nevojë që Universiteti ta bëjë rishqyrtimin e librave universitarë të cilat janë të vjetruar dhe të shkruar pa ndonjë qasje shkencore.

“Raste të tilla ka edhe kur definohet homoseksualizmi apo bashkëjetesa para martesës dhe të tjera, për të cilat nuk janë dhënë sqarime me qasje shkencore,” tha ajo.

Luci thotë se librat e shkruar kohë më parë i kanë shërbyer edhe ideologjisë që ka mbretëruar në atë kohë.

“Kjo është qasje e vjetruar që ka shërbyer për të forcuar idenë e higjienës shoqërore, të idesë që në socializëm nuk pa pasur sjellje të tilla të cilësuara si devijuese,” thotë ajo.

Shqetësimi rreth këtij libri vjen në mes të tentimeve për reforma në universitet.

Në shkurt të këtij viti, rektori Ibrahim Gashi kishte dhënë dorëheqje pas një vale të protestave që vënin në pikëpyetje gradën e tij të doktoraturës, dhe për skandale të tjera si dhe pakënaqësitë në rritje për shkak të rënies së kualitetit akademik në universitet.

Adem Beha, këshilltar i rektorit të universitet,  ka falënderuar shoqërinë civile “që na është e bërë me dije për këtë dukuri që lidhet me nevojën urgjente për të rishikuar tekstet universitare,” dhe u zotua se do të ndërmerren masa në këtë drejtim.

“Shumica prej tyre janë të vjetruara dhe kjo direkt e dëmton cilësinë në UP, prandaj planifikojmë që ta adresojmë këtë nevojë përmes Këshillit Botues te Universitetit të Prishtinës,” thotë Beha.

Për herë të fundit, libri kontrovers i Vesel Latifit është botuar në vitin 2011 nga Universiteti i Prishtinës. Ky është botimi i shtatë “i plotësuar dhe përmirësuar” i këtij libri.