LDK e PDK ia Votojnë Buxhetin Shpend Ahmetit pa Vetëvendosjen

Situata paradoksale janë duke e përshkuar asamblenë komunale të Prishtinës muajve të fundit.

E ndër më paradoksalet ishte një e sotmja kur këshilltarët e partive opozitare LDK e PDK votuan propozim-buxhetin për vitin 2016 për komunën e Prishtinës pa praninë e këshilltarëve të Vetëvendosjes dhe kryetarit të komunës, Shpend Ahmeti, të cilët, paraprakisht e kishin braktisur seancën e asamblesë.

Me 32 asamblistë të pranishëm ky propozim buxhet bashkë me kërkesat e tyre kaloi me 29 vota për, 1 kundër dhe 2 abstenime.

Për vitin e ardhshëm, komuna e Prishtinës pritet ta ketë një buxhet prej rreth 66 milionë euro.

Në fakt, pikat 3, 4 dhe 5, e rendit të ditës u bënë “mollë sherri” mes Vetëvendosjes dhe asamblistëve të PDK-së e LDK-së, prandaj të parët bashkë me ekzekutivin e kryeqytetit lëshuan mbledhjen e 7-të të Kuvendit Komunal. Këto pika që kishin të bënin me shqyrtimin e planeve rregullative u bënë shkas që asamblistët e opozitës të votojnë kundër këtij rendi të ditës. Nga 47 anëtarë të pranishëm, 26 votuan kundër, 21 për dhe 2 abstenuan.

Para se te votohej, Lirak Çelaj (PDK) ri përsëriti qëndrimin e opozitës. “Liburn Aliu të japë dorëheqje. Çdo propozim nga kjo drejtori nuk do ta shqyrtojmë fare”. Por Yll Hoxha I VV-së iu kundërpërgjigj: “Kërkesa nuk ka ardhë nga Liburni, por nga Kryetari”. Por kjo nuk ishte e mjaftueshme që t’i bind asambleistët e opozitës që ta votojnë rendin e ditës.

E meqë ata votuan kundër, nënkryetari Dardan Sejdiu u bëri thirrje ekzekutivit që t’a lëshojnë sallën. Bashkë me ta dolën edhe grupi i asamblesitëve të Vetëvendosjes. Por, në sallë pati kuorum të mjaftueshëm që mbledhja të vazhdojë.

Gjithsesi, pas kësaj i pari i Komunës, i cili nuk ishte prezent në mbledhje, thirri konferencë. Ai akuzoi Sami Hamitin e Lirak Çelajn për këtë bllokim.

“Është e qartë që koalicioni Sami (Hamiti) – Lirak (Çelaj) janë të interesuar që ta bllokojnë qytetarin e Prishtinës ashtu siç kanë bërë edhe 15 vitet e fundit”, tha Ahmeti.

E zëvendësi i Ahmetit, Dardan Sejdiu, tha që veprimet e opozitës janë të qëllimshme dhe me interesa përfitimesh.

“Janë të interesuar për anarki dhe pa rregull, sepse vetëm kështu politika e lidhur me biznesin, pra kjo politikë e tyre e lidhur me biznesin përfiton”, u shpreh Sejdiu.

Po ashtu Muhedin Nushi, drejtor në Drejtorinë e Administratës, njoftoi asamblistët se që nga mbledhja e ardhshme ata do të votojnë në mënyrë elektronike pasi salla e asamblesë komunale do të digjitalizohet.