Kuvendi Pret Orën 17 Për ta Zgjidhur Lëmshin Rreth Trepçës

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës e cila ishte paraparë që të mbahej në orën 14:00 është shtyrë për në orën 17:00.

Ky vendim erdhi pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të cilët morën vendim që seanca të mbahet në orën 17:00 ku pritet të diskutohet për projektligjin e ndërmarrjen publike.

“E patëm mbledhjen e kryesisë të Kuvendit edhe shefat e grupeve parlamentare. Në seancën e paradites e kemi pasur një propozim për një projektligj nga qeveria e Kosovës të cilën në momentin e fundit e ka tërhequr. Gjitha veprimet të cilat janë bërë deri këtu janë komfor Rregullores së Kuvendit  dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Do të vazhdojmë më tej për procedim kemi një vendim po ashtu nga kryesia e kuvendit tani edhe shefat e grupeve parlamentare në ora 17:00 do të kemi edhe një seancë plenare”, ka thënë Veseli.

Ai u bëri thirrje minatorëve dhe punëtorëve të ndërmarrjes “Trepça” që të kenë besim në institucionet e Kosovës.

“Dëshiroj ta përçoj një mesazh të veçantë për të gjithë ata punëtorë dhe minatorë të cilët janë në kombinatin Trepça se do të ketë vazhdimësi, nuk do të ketë cenim të veprimtarisë së tyre prodhuese apo subjektivitetit ekonomik dhe të kenë më shumë besim në institucionet e Kosovës “, ka deklaruar kryeparlamentari.

Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar nga Nisma, Jakup Krasniqi tregoi se partitë opozitare ishin kundër  ndryshimeve për Ligjin e Ndërmarrjes “Trepça”.

“Ne si opozitë ishim të gatshëm që ta mbështesim qeverinë në këtë kërkesë, por brenda natës qeveria ka ndryshuar mendim dhe qëndrim dhe tani ajo kërkon një seancë të jashtëzakonshëm pa arsyetuar për të bërë një ndryshim që në fakt nuk është ndryshim”, tha Krasniqi.

Ai tha se Qeveria po kërkon që “Trepça” përsëri të mbetet në kuadër të Agjensionit Kosovar të Privatizimit.

Sipas tij, kjo është një ‘tërheqje taktike’ që i sjell dëm Kosovës.

“Në fakt nuk po dihet për pasurinë kryesore të Kosovës kush po udhëheq me Kosovën: Prishtina si shtet I pavarur apo Beogradi si shtet që ka qenë okupues për 100 vjet”, ka thënë Krasniqi.

I pyetur nëse ka ndikuar Beogradi në Ligjin për Ndërmarrjen “ Trepça”, Krasniqi u përgjigj duke mos përjashtuar këtë mundësi.

“Nëse një çështje që është proceduar në kuvend dhe brenda natës ndryshohet do të thotë që qeveria është ndikuar ndoshta edhe nga Beogradi edhe nga dikush tjetër por qeveria është dashur ta ketë parasysh cilat janë politikat qeverisëse të saja”, tha Krasniqi.