Kuvendi Nuk Aktivizohet Nga Kërkesa e AAK-së në Konferencë

Në një konferencë për gazetarë të mbajtur më 30 dhjetor, grupi parlamentar i AAK-së kishte kërkuar nga Kuvendi i Kosovës mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme në javën e parë të janarit dhe ndërprerjen e pushimit. Ismet Krasniqi, sekretar i Kuvendit të Kosovës thotë se në legjislativ nuk ka ardhur asnjë kërkesë me shkrim për këtë gjë.

AAK-ja dëshironte që javën e parë të janarit të mbahej seanca ku do të flitej për migrimin ilegal të kosovarëve, pastaj të hartohej plani kombëtar për këtë gjë që do të miratohej në Kuvend dhe plani i tillë  të zbatohej.

Kryetarja e grupit parlamentar të AAK-së Donika Kadaj Bujupi thotë për KALLXO.com se ky subjekt ende nuk ka marrë përgjigje për këto kërkesa nga Kuvendi.

Ismet Krasniqi, sekretar i Kuvendit të Kosovës shpjegon se në sekretarinë e legjislativit nuk ka ardhur ndonjë kërkesë me shkrim për seancë të jashtëzakonshme nga AAK-ja.

“Ne aktivizohemi vetëm kur marrim njoftime në formë të shkruar,” thotë shkurtimisht Krasniqi.

Kuvendi ndodhet në pushim dhe nuk pritet që të fillojë me seanca para 19 janarit.

Pushimi Kadaj-Bujupit i duket i stërzgjatur dhe i paarsyeshëm, sidomos pas mospunës gjashtëmuajshe për shkak të ngërçit politik.

“Me datën 30 nëpërmjet një konference kemi kërkuar që të rishqyrtohet vendimi i Kuvendit të Kosovës por fatkeqësisht deri më tani nuk kemi marrë ndonjë përgjigje për një  vendim të tillë aq arbitrar. Është e papranueshme që Kuvendi me shku në pushim deri më atë datë”, thotë Donika Kadaj-Bujupi.

Ajo është e vetëdijshme që pushimi përcaktohet me Rregulloren e Kuvendit, por shton se në raste emergjente si kjo me migrimet duhet të bëhen përjashtime.

Një numër i madh qytetarësh braktisën Kosovën sidomos gjatë muajve të fundit të vitit 2014 në kërkim të një jete më të mirë në vendet e BE-së, edhe pse zyrtarë të këtyre shteteve vazhdimisht tërheqin vërejtjen se nuk u japin azil kosovarëve deh do t’i kthejnë ata prapa me procedura të shpejtuara.