Kush Është i Favorizuar nga Drejtësia?

Hamdi Ibrahimi, kryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka thënë se Policia e Kosovës shpesh ka favorizuar zyrtarët e Vetëvendosjes duke mos i zbatuar urdhëresat e Gjykatës për ndalimin e tyre dhe sjelljen para gjykatës.

“Nëse mund të adresoni ankesa se ka pasur drejtësi selektive, sidomos në raport me Policinë e Republikës së Kosovës është moszbatimi i urdhëresave të Gjykatës mu për anëtarët e këtij subjekti politik të cilët kanë shumë lëndë në Gjykatën Themelore dhe shumicën prej atyre urdhëresave Policia e Kosovës nuk ka mundur t’i zbatojë”, tha Ibrahimi i ftuar në emisionin e fundit “Jeta në Kosovë”.

Ka pasur apo jo drejtësi selektive në Kosovë, sidomos në ngjarjet e fundit që lidhen me protestat e partive opozitare dhe arrestimin e shqiptimin e masave të sigurisë ndaj deputetëve opozitarë?

Kjo ka qenë pika e debatit në opinionin kosovar gjatë javëve të kaluara.

Dhe ky debat pritet të vazhdojë për aq sa vazhdon kriza politike në vend dhe paralajmërimet e partive opozitare se nuk do të heqin dorë nga protesta brena dhe jashtë Kuvendit përderisa nuk plotësohen kërkesat për anulimin e dy marrëveshjeve me Serbinë dhe Malin e Zi.

Në debatin e emisionit “Jeta në Kosovë”, Avokati i Popullit Hilmi Jashari pranoi se në raste të caktuara ka pasur drejtësi selektive nga organet e drejtësisë në Kosovë.

“Po, në bazë të përvojës së punës të institucionit të Avokatit të Popullit kemi mundur ta shohim se edhe në procedura civile dhe procedura penale ka situata kur ka pasur praktika të ndryshme gjyqësore ose vendime të ndryshme për çështje të njëjtë” tha Jashari.

Shefi i departamentit të hetimeve policore, Riza Shillova, ka thënë se Policia gjithmonë  përpiqet që t’i zbatojë urdhëresat e Gjykatës por, sipas tij, deputeti tashmë i paraburgosur i Vetëvendosjes, AlbinKurti ka refuzuar t’i përgjigjet urdhëresës.

“Ne jemi përpjekur vazhdimisht ta zbatojmë urdhëresën e Gjykatës, por Albin Kurti ka refuzuar t’i përgjigjet urdhëresës. Ne kemi qenë të obliguar që në arrestimin e tij mos ta përdorim forcën në oborrin e Kuvendit, dhe nuk është korrekte që Kurtin ta arrestojmë në fjalime”, tha  Shillova duke iu referuar një tubimi në qendër të Prishtinës, më 28 Nëntor, në të cilin Kurti iu drejtuar masës së mbledhur duke qenë i arratisur.

Për këtë çështje ka folur edhe Kreshnik Gashi nga ‘Drejtësia në Kosovë’. Sipas tij, Policia e Kosovës ishte e detyruar të ndërmerrte veprimin e 28 Nëntorit për arrestimin e Albin Kurtit.

“Nëse policia nuk do ta kishte arrestuar Kurtin, dikush duhej me e arrestu Policinë e Kosovës, për shkak se nëse nuk e respektojnë një urdhëresë të lëshuar nga Gjykata atëherë kjo është përgjegjësi që duhesh me e dhanë para ligjit”, ka  thënë Gashi.

Ndërsa Prokurorja nga Prokuroria Speciale e Kosovës, Drita Hajdari pranoi se drejtësia në Kosovë ka dështuar në raste të dhunës në familje, megjithatë në Prokurori nuk ka ndikime politike.

“Ju keni nxjerrë raste ekstreme ku ka dështuar drejtësia por që Prokurorinë nuk e emëron politika dhe as që kanë ndonjë rol në punën tonë profesionale, ne nuk kemi arsye me qenë nën ndikimin e politikës’’, tha Hajdari.

Megjithatë, kryetari i Gjykatës Themelore, Hamdi Ibrahimi ka thënë se drejtësia në Kosovë është e vonuar, dhe  procedurat gjyqësore zgjasin shumë.

“Në përgjithësi ka drejtësi të vonuar, por nuk ka drejtësi selektive. Pasi që në Kosovë sidomos deri në vitin 2010 nuk ka pasur qasje serioze në funksionalizimin e sistemit  të drejtësisë në Kosovë”, tha Ibrahimi.

Përveç mosfunksionalizimit  të sistemit të drejtësisë, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari  ka bërë të ditur se janë  një numër i madh i raporteve  në zvarritje të procedurave  gjyqësore në Kosovë.

“Janë më shumë se 200 raporte në zvarritje të procedurave gjyqësore dhe kjo është shkelje e të drejtave të njeriut”, ka thënë Jashari.