Kusari-Lila do ta Lirojë nga Përgjegjësitë Drejtorin e Akuzuar

Kryetarja e Gjakovës bëri të ditur se do ta lirojë nga përgjegjësitë drejtorin Armend Vokshi sapo të nisë procesi gjyqësor ndaj tij.

Mimoza Kusari-Lila tregoi se nuk është informuar nga Prokuroria Themelore e Gjakovës për ngritjen e aktakuzës ndaj drejtorit të Administratës së Përgjithshme Armend Vokshi.

“Më lejoni të them që për aktakuzë kam marrë vesh prej mediave dhe zyrtarisht as komuna e as drejtori nuk janë të informuar nga prokuroria. Besoj që në një rast të tillë duhej që kjo informatë të na sillej edhe neve se drejtori i Administratës Publike është një drejtor i cili mban një post tepër të rëndësishëm, por që gjithashtu është drejtpërdrejt i emëruar me vendim nga kryetarja e komunës,” tha Kusari-Lila.

Për ngritjen e aktakuzës ndaj Vokshit për shpërdorim të detyrës zyrtare KALLXO.com shkroi para tri ditësh.

Kusari-Lila tha se do ta lirojë nga përgjegjësitë drejtorin Vokshi, posa të nisë procesi gjyqësor ndaj tij.

“Në momentin e fillimit të procesit gjyqësor unë do t’i kërkoj drejtorit të administratës që të lirohet nga obligimet në administratë për arsye se duhet i njëjti standard të vlejë për të gjithë, edhe pse absurdi në vete në rastin në fjalë është që ne e kemi një prej drejtorëve me preformancen më të mirë,”tha Kusari-Lila.

Armend Vokshi po akuzohet ngase detyroi shtëpiakun e Komunës së Gjakovës për ta blerë një pajisje zërimi që e vodhi një i afërm i tij.

Kusari-Lila tha se është manipuluar sistemi i drejtësisë për ta shfrytëzuar këtë rast si karrem për sulme politike.

“Është ndërru deklarata e personit i cili ka përgatit pastaj kallëzimin penal dhe gjitha kjo ngjan asgjë më tepër se një manipulim i sistemit të drejtësisë, ose një formë, një revansh për një proces i cili prapë nuk kam dyshim se në fund do të zbardhet e vërteta dhe në fakt do të dalin të gjitha argumentet që do ta demantojnë këtë aktakuzë,”tha Kusari-Lila.