Kryetari i Parteshit Shmang Konfliktin e Interesit pas Paralajmërimit të AKK-së

Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) ka mbyllur rastin për kryetarin e Komunës së Parteshit Dragan Nikolic, për shkak se zyrtari i lartë publik ka shmangur gjendjen e konfliktit të interesit në të cilin ndodhet.

Vendimi mbi këtë çështje është marrë nga Agjencia Kundër Korrupsionit më 10 shtator 2015.

Sipas vendimit të AKK-së mbyllet rasti për Dragan Nikolic kryetari i Komunës së Parteshit për shkak se zyrtari i lartë publik ka shmangur gjendjen e konfliktit të interesit në të cilin ndodhet.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se kryetari i Parteshit është hetuar për konflikt të interesit sepse krahas ushtrimit të funksionit të kryetarit të Komunës së Parteshit, ka qenë person i autorizuar në biznesin privat T.U.P. “KOMPAS”.

Sipas arsyetimit të vendimit të AKK-së, kryetari i Komunës së Parteshtit Gragani Nikolic fillimisht është njoftuar nga AKK-ja me një shkresë zyrtare për fillimin e shqyrtimit të gjendjes së mundshme të konfliktit të interesit.

Më pas është caktuar një takim në mes të këtij zyrtari dhe AKK-së. Arsyetimi vazhdon se kryetari Nikolic është bindur për kufizimet në ushtrimin e funksioneve menaxheriale, krahas ushtrimit të funksionit publik dhe ka premtuar që në afat sa më të shpejtë do të shmangë konfliktin e interesit.

Në arsyetimin e po këtij vendimi thuhet se Dragan Nikolic ka dërguar në agjenci shkresën zyrtare, (DPKI 03-02-2621/15) të lëshuar nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë me të cilin vërtetohet se vullnetarisht ka mbyllur biznesin privat T.U.P. “KOMPAS”. Me këtë ka shmangur situatën e konfliktit të interesit në të cilën ndodhej.

Por kjo agjenci nuk përjashton mundësinë që ky rast të rihapet nëse paraqiten rrethana të reja.