Kryetari i Dragashit Mungon në Gjykim-Ndodhet në Shqipëri

Të martën ishte planifikuar që të mbahej vazhdimi i shqyrtimit gjyqësore në rastin e shpërdorimit të detyrës zyrtare ku të akuzuar janë kryetari i Komunës së Dragashit Salim Jenuzi dhe Lulzim Rifaj, ish-kryesuesi i Kuvendit Komunal në Dragash, aktualisht konsull në ambasadën kosovare në Sofje të Bullgarisë.

Mirëpo në gjykatë nuk ishte i pranishëm i akuzuari i parë Salim Jenuzi, edhe pse ishte ftuar me ftesë të rregullt, ndërsa nuk e kishte paralajmëruar mungesën.

Mbrojtësi i tij, avokati, Ruzhdi Berisha sqaroi arsyet e mosardhjes së Jenuzit.

“Salim Jenuzi gjendet në Shqipëri që dy ditë, në udhëtim zyrtar në cilësinë e kryetarit të Dragashit. Si rezultat i kësaj nuk ka mundur të jetë sot prezent këtu” tha avokati Berisha.

Në mungesë të plotësimit të kushteve për gjykim, seanca gjyqësore u shty, gjë e cila nuk i pëlqeu fare të akuzuarit të dytë Lulzim Rifaj.

“Unë për çdo ftesë i jam përgjigjur gjykatës, edhe sot nga Bullgaria kam ardhë dhe kam bërë shpenzime. Kjo nuk është e drejtë sepse po zvarritet rasti në pafundësi” tha Rifaj, që aktualisht punon si konsull në ambasadën kosovare në Sofje.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prizren i ngarkon Jenuzin  dhe Rifajn se më 27 gusht 2009, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për tjetrin, i kanë shkaktuar dëm ndërmarrjes shoqërore “Sharr Prodhimi” në Dragash, e cila është nën menaxhim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Prokuroria akuzon Jenuzajn se në cilësi të kryetarit të Komunës së Dragashit urdhëroi drejtorin e Urbanizmit dhe Kadastrës që ta bartë pronën shoqërore në sipërfaqen prej 29,7 hektarësh prej pronarit të ndërmarrjes shoqërore “Sharr Prodhimi” në pronë të Komunës të Dragashit.

Këtë pronë pastaj Jenuzi ua dha në shfrytëzim pa ndonjë bazë juridike blegtorëve.

Rifaj akuzohet se si kryesues i Kuvendit Komunal të Dragashit vuri në rend dite këtë bartje të pronës shoqërore, duke bindur asamblistët që ta votojnë propozimin, edhe pse e dinte se një veprim i tillë është në kundërshtim me ligjet në fuqi, pasi menaxhimi i pronës shoqërore me ligj i përket AKP-së.

Ligji për AKP-në e përcakton këtë agjenci si administratore të ndërmarrjeve publike, pavarësisht nëse ndërmarrjet i janë nënshtruar ose jo transformimit.

Seanca e radhës do të mbahet 16 janar 2014.