Krimet e luftës: Pse ‘Ndjesa’ nuk Mjafton

Politikanët kryesorë serbë u kanë kërkuar falje boshnjakëve për krimet e luftës, por ekspertët dhe viktimat thonë se pa gjeste më konkrete pajtimi, fjalët e tyre nuk kanë asnjë vlerë.

Presidenti serb Tomislav Nikoliq u akuzua për mohim gjenocidi këtë javë pasi raportet në media thanë se ai ka deklaruar se s’do të marrë pjesë në përkujtimoren e madhe me rastin e 20 vjetorit të masakrave të Srebrenicës në korrik – pavarësisht se ka kërkuar ndjesë për vrasjet e vitit 1995 nga ana e forcave serbe të Bosnjës.

Nikoliq u kërkoi ndjesë viktimave boshnjake gjatë një interviste në televizionin boshnjak në vitin 2013, duke u kërkuar atyre të pranojnë ndjesën e tij në emër të gjithë serbëve: “Ulem në gjunjë dhe kërkoj ndjesë në emër të popullit tim për krimet e kryera në Srebrenicë,” tha ai.

Megjithatë, ai nuk pranoi që krimi i bërë përbënte gjenocid – një përkufizim i miratuar si nga gjykatat boshnjake ashtu edhe nga ato ndërkombëtare – dhe në këtë mënyrë për të mbijetuarit e Srebrenicës, ndjesa e tij kurrë nuk do të mjaftojë edhe nëse e kërkon i ulur në gunjë.

Një nga të mbijetuarat, Hajra Catic, e cila humbi njerëzit e saj të dashur në vitin 1995, tha se ajo nuk ishte shumë e zhgënjyer që Nikoliqi s’do të merrte pjesë, sepse pas 20 vjetësh mohim zyrtar si nga liderët e Beogradit ashtu edhe nga liderët serbë të Bosnjës, ajo nuk priste asgjë më shumë.

Ajo kujton një vizitë në memorialin e Srebrenicës në prill të këtij viti nga Milorad Dodik-u, presidenti i entitetit të Republikës Serbe të Bosnjës. “Është e vërtetë se këtu ndodhi një krim dhe më vjen keq për të gjitha viktimat,” pranoi Dodik, por ai tha gjithashtu se masakrat ishin “politizuar”.

“Asgjë nuk ka ndryshuar në marrëdhënien e tij kundrejt nesh dhe këtij krimi. Nëse politikat e tij kundrejt boshnjakëve nuk ndryshojnë, kjo do të thotë se nga ana e tij nuk pati asnjë ndjesë të vërtetë,” tha Catic.

Munira Subasiq, një tjetër e mbijetuar e Srebrenicës tha se do të ishte e interesuar të dëgjonte zyrtarët nga qeveria serbe e Bosnjës dhe ajo serbe të pranonin në përkujtimoren e këtij viti se ka pasur gjenocid dhe të kërkonin ndjesë për të, por që fjalët e tyre të kenë ndonjë kuptim, ato duhet të mbështeten nga veprime.

“Nuk duhet t’i kërkosh dikujt të pranojë një krim, të mos e mohojë më këtë gjë dhe të kërkojë ndjesë nëse fajin e ka ana e tij. Kjo gjë duhet të vijë në mënyrë natyrore. Duhet të vijë nga brenda,” tha Subasiq.

“Do të më kishte pëlqyer të dëgjoja një ndjesë këtë vit, por një ndjesë të sinqertë. Jo vetëm për mua, se unë nuk jam e rëndësishme, por për fëmijët tanë, për fëmijët e të gjithëve. Pranimi i këtij krimi është një hap para drejt ndalimit të gënjeshtrave, glorifikimit të kriminelëve të luftës si edhe harrimit të viktimave,” shtoi ajo.

Fjalë boshe, qëndrim politik

Psikologu boshnjak Ismet Dizdareviq tha se për viktimat, nga këndvështrimi individual, një ndjesë për krimet mund të jetë e rëndësishme për rehabilitimin e të mbijetuarve.

“Megjithatë, viktimat janë jashtëzakonisht të ndjeshëm nga ana psikologjike dhe kështu ndjesa duhet të jetë hapi i fundit. Më parë, personi duhet të bëjë gjithçka që ka në dorë për të treguar një ndryshim nga pikëpamjet e tij të mëparshme. Përndryshe kjo është thjesht një frazë, e cila është e pakuptimtë në vetvete. Fjalët e thjeshta ‘Më vjen keq’ nuk mund të funksionojnë nëse ato pasohen nga një distancim nga akti, ose pikëpamja fillestare,” shpjegoi Dizdareviq.

Pikëpamja e tij është e njëjtë me atë të eksepertes së drejtësisë tranzicionale Aleksandra Letiq, e cila tha se pjesëmarrja e politikanëve në përkujtimoret si edhe ndjesa e tyrë për krimet mund të jetë e rëndësishme, por është e rëndësishme që ata të mos i kthejnë ngjarjet e tilla në “skena për të grumbulluar pikë politike”.

“Kjo është një temë e ndjeshme, të mos lëndohen viktimat. Kur flasim për përkujtimore si kjo në Srebrenicë, mendoj se aktorët politikë duhet të jenë atje, por gjithashtu të pranojnë krimin,” tha Letiq.

“Vetëm prania e tyre duhet të tregojë se ata e distancojnë veten nga krimet e tmerrshme, por një fjalim i çfarëdolloji mund të ketë efekt negativ tek ata që kanë ardhur të shënojnë vrasjet e njerëzve të tyre të dashur,” shtoi ai.

Vendet e ish-Jugosllavisë nuk kanë filluar të largohen nga krimet dhe ndarjet e viteve 1990, prandaj çdo përpjekje për ndjesë pritet me skepticizëm, sipas Letiq-it.

Pro dhe kundër ndjesave

Sociologu boshnjak Ivan Sijakoviq tha ndërkohë se njerëzit nuk duhet të kërkojnë ndjesë për krime që ata nuk i kanë bërë vetë personalisht.

“Tani kemi ndjesa nga ana e politikanëve, por nuk janë ata që i kryen krimet. Do të ishte mirë që ndjesë të kërkonin aktorët e vërtetë dhe ata që janë përgjegjës për krimet, në vend që këtë ta bëjnë njerëz që vijnë dhjetë vjet pas krimit,” tha Sijakoviq.

“Megjithatë, nuk mendoj se ata duhet të marrin pjesë në përkujtimoret,” shtoi ai.

Profesori i historisë ndërkombëtare Marko Atilla Hoare, i cili ka punuar për pak kohë në Prokurorinë e Gjykatës së Hagës, tha se ai gjithashtu besonte se liderët e shtetit duhet të marrin pjesë në ceremonitë që përkujtojnë viktimat e krimeve të kryera nga shteti i tyre ose të afërmit etnikë.

Por ai tha se ata duhet gjithashtu të kërkojnë ndjesë ose shprehin keqardhje.

“Kjo nuk duhet të nënkuptojë pranimin se shteti ishte fajtor, apo që kombi ishte fajtor. Serbia u shpall fajtore nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vetëm për dështim në parandalimin apo ndëshkimin e gjenocidit në Srebrenicë”, tha Hoare.

“Megjithatë, Ivo Josipoviq, kur ishte president i Kroacisë, shprehu keqardhje për krimet e kryera nga trupat ushtashe kroate pro-naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore – edhe pse ato krime u kryen nga një pakicë e papërfaqësuar kroatësh, për të cilët as shteti kroat dhe as i gjithë kombi nuk është ligjërisht fajtor. Kjo është gjëja e duhur për të bërë,” shpjegoi ai.

“Refuzimi i Nikoliqit për të marrë pjesë në përkujtimoren e Srebrenicës nënkupton mungesë respekti për viktimat dhe mungesë keqardhjeje për krimet e ekstremistëve serbë të viteve 1990. Megjithatë, pa një respekt dhe keqardhje të tillë, nuk mund të ketë pajtim ose marrëdhënie të mira midis kombeve në të ardhme,” shtoi ai.