KQZ-ja Certifikon Rezultatet e Zgjedhjeve

Komisioni Qendror I Zgjedhjeve të premte pasdite ka certifikuar rezultatetet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 8 qershorit.  Sipas kryesueses së KQZ-së, Valdete Daka, pjesëmarrja në votime ka qenë 42.63%. Kurse Vlora Çitaku nga PDK-ja dhe Liburn Aliu nga Lëvizja “Vetëvendosje” kanë hequr dorë nga mandati i deputeteve.

Gati një muaj pas  tetë qershorit, më 4 korrik, në mbledhjen e 46-të Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatetet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Sipas kryesueses së KQZ-së Valdete Daka në këto zgjedhje PDK-ja së bashku me katër partitë e koalicionit ka marrë 222.181 vota ose 30,38 për qind, LDK-ja 184.594 vota ose 25,24 për qind, Lëvizja “Vetëvendosje” 99.398 ose 13,59 për qind  AAK-ja  69.793 vota ose 9,54 për qind, Lista “Srpska” 38.199 vota ose 5,22 për qind dhe Nisma Për Kosovën 37.680 ose 5,15 për qind.

AKR-ja ka mbetur jashtë përbërjes së re parlamentare duke fituar  34.170 vota ose 4,67për qind.

Në bazë të këtyre rezultateve, PDK-ja sme aleatët do t’i kenë 37 deputetë, LDK-ja 30, “Vetëvendosje” 16, AAK-ja 11, Lista “Srpska” 9 dhe  Nisma për Kosovën 6.

Në Kuvend do të hyjnë edhe partitë e komuniteteve:   Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP) dhe Koalicioni “Vakat” me nga 2 deputetë dhe shtatë subjekte tjera  minoritare që do të kenë nga një përfaqësues.

Në mbledhje kryetarja Daka tha se numri i votuesve të regjistruar për zgjedhjet e tetë qershorit ka qenë 1, 799,023, kurse kanë votuar 734.055 persona e votues me kusht ishin 32.779.

Pjesëmarrja e përgjithshme në zgjedhje ka qenë 42.63 për qind.

Sa i përket terheqjes së  kandidatëve të cilët kanë fituar votat për deputetë, Daka tha se Vlora Çitaku nga PDK-ja dhe Liburn Aliu nga Lëvizja “Vetëvendosje” kanë hequr dorë me vetëdëshirë nga posti i deputetit.

Vlora Çitaku do të zëvendësohet me Ganimete Musliun, kurse Liburn Aliu me Fisnik Ismailin.