KPK, së Shpejti me Rregullore të Re për Zgjedhjen e Anëtarëve

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka nisur mbledhjen e 101-të të paralajmëruar për sot në orën 13:00 me 45 minuta vonesë dhe për këtë kryesuesi i mbledhjes, kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi nuk ka dhënë asnjë shpjegim para gazetarëve.

Në këtë mbledhje, anëtarët e KPK-së kanë marrë disa vendime të cilat kanë të bëjnë me mandatet e anëtarëve të KPK-së dhe disa çështje tjera.

Anëtarët e KPK-së në mënyrë unanime kanë votuar pro propozimit që anëtarëve aktualë t’u vazhdohet mandati deri në përfundimin e tranzicionit, çka do të thotë deri në përzgjedhjen e anëtarëve të rinj.

“Njëzëri u aprovua që deri më 31 korrik të aprovohet rregullorja për emërimin e anëtarëve të KPK-së dhe pas kësaj faze, atëherë na mbet edhe që t’i shpallim zgjedhjet”, tha kryeprokurori Lumezi.

Sipas tij, është me shumë rëndësi që të mos krijohet vakum institucional brenda KPK-së, pasi që ndodhen në fazën e përzgjedhjes së prokurorëve të rinj, sidomos të prokurorëve nga komuniteti serb në Mitrovicë dhe disa rasteve të tjera disiplinore.

Ndërsa anëtari i KPK-së Jetish Maloku kërkoi nga kolegët e tij që të votojnë për heqjen e nenit 23 të rregullores së punës së Komisionit Disiplinor të KPK-së, pasi që sipas tij, ky nen bie në kundërshtim me ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

“Ky nen është plotësisht në kundërshtim me nenin 24 të ligjit mbi KPK-në. Deri aty jepet mundësia që ky komision të shqyrtojë, pse edhe mos me e suspenduar prokurorin duke u bazuar në prova, rrethana që i ofron Zyra e Prokurorit Disiplinor”, tha Maloku.

Mbledhja e radhës dhe e fundit para pushimeve parashihet të mbahet më datë 31 korrik, ku pritet të merren vendimet lidhur me rregulloren për zgjedhjen e anëtarëve të KPK-së, dhe rregulloren që garanton përfaqësim etnik dhe gjinor në përbërjen e anëtarëve të rinj të KPK-së.