Kosovarët Mbesin Ende të Izoluarit e Evropës

Komisioni Evropian ka prezantuar sot raportin e dytë për progresin e Kosovës në përmbushjen e kërkesave për udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.

Në këtë raport, Komisioni konsideron që Kosova ka arritur progres, megjithatë kërkohen përpjekje të mëtutjeshme për të fituar udhëtimin pa viza për qytetarët e saj.

Raporti vlerëson progresin që Kosova ka arritur në secilën fushë të udhërrëfyesit për viza dhe jep një numër rekomandimesh për Qeverinë e Kosovës në përmbushjen e pikave kryesore të udhërrëfyesit.

”Autoritetet e Kosovës kanë punuar shumë dhe kanë arritur progres në fushat, si pranimi dhe siguria e pasaportave. Ata duhet të vazhdojnë të punojnë në rezultatet e treguara dhe të angazhohen në mangësitë e identifikuara në këtë raport, në veçanti kur është fjala për sistemin informativ për viza, pavarësinë e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit. Komisioni Evropian është i gatshëm t’i ndihmojë ata në përpjekjet e tyre për të pasur progres konkret në vend”, tha Komisionerja për Çështje të Brendshme, Cecilia Malmström.

Sipas raportit, Kosova ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të implementuar legjislacionin e saj në të gjitha fushat e udhërrëfyesit për viza.

Si pika pozitive, raporti përmend çështjen e pranimit, re-integrimin, menaxhimin e kufirit dhe sistemin gjyqësor penal që kanë përfituar nga reformat që janë bërë.

Por krahas këtyre, raporti përmend edhe sfida në hapat e mëtejshëm, siç thuhet, të nevojshëm për të qenë në përputhshmëri të plotë me kërkesat e udhërrëfyesit për viza.

Raporti rekomandon që Kosova duhet të rrisë riintegrimin e qëndrueshëm të të kthyerve; të përmirësojë saktësinë e sistemit të saj për statusin civil; të shtyjë para sistemin informativ për viza; të zhvillojë pavarësinë e gjyqësorit dhe të krijojë një regjistër të besueshëm për vendimet e gjykatave të marra për rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Komisioni ka vlerësuar po ashtu ndikimin potencial të liberalizimit të vizave në siguri dhe migrim dhe ka konkluduar se heqja e obligimit për viza për qytetarët e Kosovës ka sjellë si pasojë për BE-në rrezik në siguri dhe migrim.

Që nga viti 2012, ka pasur një rritje të madhe në kontrabandimin e njerëzve nga Kosova, dhe raporti vjetor i EASO-s për vitin 2014 ka nënvizuar gjithashtu një rritje të konsiderueshme të numrit të aplikacioneve për kërkim azili në shtetet anëtare të BE-së nga qytetarët e Kosovës. Komisioni rekomandon hapa të mëtejshëm nga ana e Kosovës për zbutjen e rreziqeve në fushën e sigurisë dhe migrimit nga liberalizimi potencial i vizave, thuhet në raport.

Dialogu për liberalizimin e vizave ndërmjet Komisionit Evropian dhe Kosovës është lansuar në janar të vitit 2012.

Komisioni Evropian thotë se ky dialog është një proces i bazuar në merita.

Kësisoj, Kosovës i duhet t’i plotësojë të gjitha kushtet e vendosura në udhërrëfyesin për viza dhe duhet të dëshmojë që nuk ka rrezik substancial për siguri dhe migrim që ndërlidhen me heqjen e obligimit për viza.

Pas kësaj, Komisioni mund t’i rekomandojë Parlamentit Evropian dhe Këshillit Evropian heqjen e obligimit për viza për qytetarët e Kosovës.