Kosova Nis Votimin

Qershor 08, 2014 – Kryesuesja e KQZ-së, Valdete Daka, votoi sot e para dhe apeloi për proces të qetë zgjedhor. Rreth 1.8 milionë kosovarë do t’u drejtohen sot kutive të votimit për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvend. Për këtë janë hapur 798 qendra votimi me gjithsejt 2.374 vendvotime në 38 komuna të Kosovës.

Kryesuesja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, e ka hedhur e para fletën e saj në kutinë e votimit për të shënuar kështu nisjen e një procesi votues që do të çojë në zgjedhjen e legjislaturës së re 120 anëtarëshe të Kuvendit të Kosovës.

Në orën 7 të mëngjesit të sotëm, Daka ka vizituar qendrën e votimit në Fakultetin Teknik të Universitetit të Prishtinës ku gjendet qendra e saj e votimit.

Pasi ka hedhur fletëvotimin në kuti, ajo u ka thënë gazetarëve se pret që Kosova sot ta përmbyllë qetë procesin e votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Kjo është hera e pestë që nga viti 2001 që kosovarët thirren para kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvend.

Zgjedhjet e sotme mbahen pasi muajin e kaluar, deputetët e legjislaturës së kaluar të Kuvendit të Kosovës votuan për shpërbërjen e saj, pas një marrëveshjeje ndërmjet disa liderëve të partive politike.

Të drejtë votimi në zgjedhjet e sotme kanë 1.782. 454 votues të ndarë në 38 komuna. Lista e votuesve këtë vit përmban rreth 34 mijë emra të rinj të cilët për herë të parë kanë të drejtë vote.

Në 38 komunat e Kosovës, në këtë ditë do të hapen 798 qendra votimi me gjithsejt 2.374 vendvotime.

Zgjedhjet e sotme kanë zgjuar interesim të madh të organizatave vëzhguese vendore e ndërkombëtare.

Në këtë drejtim, Bashkimi Evropian ka dërguar në Kosovë një ekip prej 100 vëzhguesish të cilët do të raportojnë të hënën për të gjetutar preliminare nga ky proces.

Në përgjithësi, KQZ ka akredituar rreth 28 mijë vëzhgues të cilët do ta monitorojnë procesin gjatë ditës së sotme.

Në këto zgjedhje do të marrin pjesë 30 subjekte politike përfshirë parti politike, koalicione, iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur.

Në një adresim që i bëri popullit të Kosovës dje, Presidentja e vendit Atifete Jahjaga tha se 8 qershori është dita kur qytetarët e Kosovës do të vendosin “për rrugën e Kosovës në proceset e konsolidimit ndërkombëtar, të integrimeve dhe mbi të gjitha për demokracinë e brendshme të vendit”.

“Dua t’ju siguroj se do të bëjmë çmos që vota e juaj të mbrohet. Mekanizmat dhe institucionet e Kosovës do të angazhohen fuqishëm që vota e qytetarit të jetë e paprekshme dhe e pacenuar”, tha Presidentja Jahjaga në këtë mesazh.

Vendvotimet do të jenë të hapura deri në orën 19, ndërsa KQZ pret që deri në mesnatë të dalë me rezultate preliminare të zgjedhjeve.