Kosova Kujton Tmerrin e Masakrës në Burgun e Dubravës

Familjet e rreth 130 të burgosurve të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë përkujtuan 16 vjetorin e vdekjes së tyre dhe bënë thirrje që autorët e krimit të ndiqen më në fund penalisht.

Të afërmit e të vdekurve dhe të mbijetuarit e masakrës u mblodhën ditën e premte për t’i bërë nderimet e tyre në burgun në veri-perëndim të Kosovës, ku mendohet se janë vrarë 90 deri në 130 të burgosur dhe rreth 200 të tjerë u plagosën nga forcat serbe të sigurisë në maj të vitit 1999.

Ismet Paçarizi, i cili ishte një i burgosur lufte në atë kohë, tha se vëllai i tij Besimi ishte ndër ata që u vranë më 22 maj 1999.

Të dy vëllezërit dhe mijëra të burgosur të tjerë u urdhëruan të qëndrojnë në rresht nga policia serbe dhe u thanë se do të dërgoheshin në burgje të tjera.

Ismet Paçarizi

“Pastaj filluan të shtënat nga të gjitha anët. Mitraloza të rëndë, granata dore dhe mortaja u hodhën mes nesh. E tërhoqa tim vëlla zvarrë që atje dhe u strehuam brenda një qelie izolimi. Ai vdiq më pas,” kujton Paçarizi.

“Ishte një ferr i vërtetë,” tha ai.

Masakra ndodhi pasi NATO-ja bombardoi burgun, duke vrarë disa të burgosur, si pjesë e sulmeve të saj ajrore ndaj forcave serbe që kishin për qëllim dhënien fund të konfliktit të Kosovës.

Disa ditë më vonë, personeli serb i sigurimit mblodhi qindra të burgosur në oborrin e burgut dhe hapi zjarr mbi ta.

Halim Kiçina, një mësues nga Drenasi, tha se djali i tij Petriti, i cili ishte një luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte 22 vjeç kur u vra në burg.

“Ai u torturua dhe më pas u ekzekutua,” tha Kiçina.

Ai kritikoi autoritetet e Kosovës se nuk kanë qenë në gjendje të nxjerrin para drejtësisë autorët e masakrës së Dubravës.

Halim Kiçina

“Vrasja e një të burgosuri është krim. Ajo ç‘ka është e rëndësishme është se kriminelët dihen edhe me emra,” tha ai.

Një i mbijetuar i masakrës, Bislim Zogaj, udhëhoqi njerëzit të mbanin një minutë heshtje në vendin e vrasjeve.

Zogaj tha se ai kishte transportuar shumë të plagosur në një vend të sigurt dhe tha se mbante mend kur kishte gjetur një të burgosur të gjallë midis trupave të pajetë pothuajse një ditë më vonë.

“Ndodhi shumë shpejt. Shumë miq ishin të shtrirë përtokë. Fillova t’i mbaja sepse shumë prej tyre nuk mundeshin as të lëviznin,” tha ai.

Zogaj tha se ai është marrë në pyetje nga Misioni i Sundimit të Ligjit të BE-së, EULEX, si dëshmitar i masakrës. “Ka kaluar ca kohë. Nuk e di se çfarë po ndodh me hetimin,” tha ai.

Zyra e Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK) tha për BIRN-in se ajo po heton ende çështjen e Dubravës dhe se po punon ngushtë me autoritetet gjyqësore serbe në vazhdimin e hetimit.

Zyra e Prokurorit Serb për Krime Lufte lajmëroi në prill të vitit 2012 se po hetonte vrasjet.

Në personat e marrë në pyetje përfshihen edhe ish-ministri i drejtësisë, Dragoljub Jankoviq, ish-drejtori i policisë Obrad Stefanoviq, shefi i policisë në Pejë Boro Vlahoviq, dhe drejtori i burgut të Dubravës në atë kohë, Aleksandar Rakoceviq.

Megjithatë deri më tani, nga autoritetet serbe nuk është ngritur asnjë akuzë.