Kosova dhe Letonia Bashkëpunojnë në Sektorin e Shëndetësisë

Kosova dhe Letonia bashkëpunojnë  në sektorin e shëndetësisë. Ministri i Shëndetësisë i Letonisë Guntis Beleviçs ka vizituar Ministrinë e Shëndetësisë në Kosovë. Me këtë rast ministri i Shëndetësisë i Kosovës Imet Rrahmani tha se është parë e udhës që të dyja vendet t’i trajtojnë problemet në sektorin e shëndetësisë pasi që Letonia dhe Kosova kanë shumë gjëra të përbashkëta.

”Kemi probleme të ngjashme, shpeshherë edhe identike në zhvillimin e sektorit të shëndetësisë dhe sektorëve të tjerë të lidhur me shëndetësinë”, tha ministri Rrahmani.

Ai tha se do të punohet për një marrëveshje bashkëpunimi në mes të dyja shteteve në të gjitha fushat e mundshme në shëndetësinë e dy vendeve.

Ministri letonez Guntis Beleviçs po ashtu tha se Kosova e Letonia janë shumë të ngjashme, madje edhe numrin e popullsisë e kanë pothuajse të njëjtë.

“Për këtë arsye kam shansin që të shoh më mirë sistemin e shëndetësisë këtu”, tha ministri Beleviçs.

Ai e ftoi ministrin Rrahmani në Letoni që edhe ai të njihet me sistemin shëndetësor të shtetit të tij.

Për më tepër, ministri Rrahmani bëri të ditur se kanë identifikuar fusha ku sistemi shëndetësor i Letonisë është në nivele më të larta zhvillimore, siç është trajtimi i sëmundjeve malinje të fëmijëve për të cilat tha se po detyrohen të marrim shërbime jashtë Kosovës.

Rrahmani po ashtu tha se në Letoni është një sistem  i mirë i shkollimit ku mund të shkëmbehen edhe studentët.