KOSID Kundërshton Miratimin e Rekomandimeve të Shtrembëruara për Energjinë

Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) ka organizuar një konferencë të jashtëzakonshme lidhur me mosvotimin në Kuvend të peticionit të 33 mijw qytetarëve për çmimet e energjisë elektrike.

Visar Azemi nga KOSID, tha se sot në Kuvendin e Kosovës nuk janë votuar kërkesat e qytetarëve ashtu siç janë nënshkruar.

“Kërkesat kryesore të cilat qytetarët i ngritën me anë të peticionit dhe të cilat ishin anulimi i vendimit për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe shkarkimi i bordit të ZRRE-së, nuk u morën fare në konsideratë në këto rekomandime të cilat u votuan sot”, tha Azemi.

Sipas tij, nuk ka asgjë të përbashkët mes rekomandimeve të miratuara dhe peticionit.

“Pra me këtë është dëshmuar edhe një herë se janë dhunuar kërkesat për peticione. Peticione të tilla nuk ka pas ndonjëherë me numër kaq të madh të qytetarëve të cilët kanë marrë pjesë dhe kjo praktikë e interesave të ngushta i kontribuon më shumë një destabilizimi të vendit sesa që çon përpara me këtë rrugë të cilën ata e kanë nisur”, u shpreh Azemi.

Dajana Berisha nga KOSID tha se Kuvendi u mohoi qytetarëve të drejtën për peticion. Peticioni është realizuar në shtator të vitit 2014 dhe më 20 janar 2015 iu është dorëzuar Kuvendit.

Partitë opozitare në Kuvend lëshuan seancën si shenjë pakënaqësie për miratimin e rekomandimeve për energjinë të Komisionit për të Drejta të Njeriut.

Ndryshe, sot në Kuvendin e Kosovës partitë opozitare e kanë lëshuar sallën e kuvendit si shenjë pakënaqësie për miratimin e rekomandimeve të Komisionit për të Drejta të Njeriut.

Pak kohë pas bojkotit të seancës, subjektet opozitare kanë mbajtën një konferencë për media.