Komunitetit Mysliman i Kërkohet Punë për Parandalimin e Ekstremizmit

Në një tryezë në Mitrovicë u kërkuan rrugë për parandalimin e ekstremizmit fetar.

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës, shoqërisë civile, të institucioneve të sigurisë dhe atyre fetare debatuan sot në Mitrovicë në një tryezë që i kushtohej fenomenit të ekstremizmit fetar në vend.

Në tryezën e organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), si pjesë e një projekti kundër ekstremizmit fetar të mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, u tha se ka forma të shumta të të shprehurit të ekstremizmit.

Skënder Perteshi nga QKSS-ja tha se ekstremizmi fetar kërkon një qasje gjithëpërfshirëse institucionale.

“Duhet të kemi një qasje shumë gjithëpërfshirëse për ta adresuar ekstremizmin si fenomen nga të gjithë e sidomos nga komuniteti mysliman në Kosovë që ne e quajmë si faktorin më të rëndësishëm për deradikalizëm dhe parandalimin e tij,” tha Perteshi.

Ndërsa Rexhep Lushta kryeimam i Bashkësisë Islame të Kosovës në Mitrovicë përmendi disa shkaqe që çojnë drejt ekstremizmit.

“Mosedukimi i mirëfilltë i popullatës e posaçërisht i rinisë rreth parimeve të vërteta fetare dhe presionet e vazhdueshme nga qarqet e ndryshme të cilat i bëhen komunitetit mysliman në Kosovë, i cili praktikisht dhe teorikisht është shumicë në Kosovë, ndërsa jemi duke e ndier vetën si minoritet,” tha Lushta.

Kenan Beqiri nga shoqëria civile në Mitrovicë kërkoi më shumë vëmendje të institucioneve të sigurisë në Kosovë “pasi që gjithçka është e rrezikshme kur është e panjohur dhe kjo vlen për shumicën e vendeve”.

QKSS-ja së fundmi ka publikuar edhe një raport rreth ekstremizmit fetar për të cilin tha se nuk ka filluar të shfaqet vetëm gjatë kohëve të fundit.

Një tryezë kundër ekstremizmit u zhvillua edhe në Vushtrri më 27 gusht.