Komuna Vendos Pllaka të Reja Mbi ‘Kurriz’

Komuna e Prishtinës të mërkurën filloi punimet në platonë e “Kurrizit” të “Dardanisë”.

Nisjen e punimeve e vëzhguan nga afër kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti dhe drejtori i Infrastrukturës në këtë komunë Hysen Durmishi.

Ahmeti tregoi çmimin e rregullimit të platosë së “Kurrizit”.

“Vlera e projektit është pak më pak së një milion euro, diku 970 mijë euro dhe kontrata do të jetë për 180 ditë pune. Besojmë dhe shpresojmë që deri në fund të vitit janë diskutimet e kompanisë që punimet të zhvillohen edhe më shpejt,” deklaroi Ahmeti.

Ahmeti tha se në këtë projekt parashihen edhe hapësira gjelbëruese për banorët e kësaj lagjeje.

“Parashihen ndërrimi komplet i të gjitha pllakave të cilave u ka kaluar moti afati i përdorimit dhe shtesë të hapësirave gjelbëruese mbi platonë e ‘Kurrzit’. Nëse e kombinojmë këtë me platonë prapa postës dhe platonë të çerdhja ‘Lulevera’ si dhe me regjenerimin e parkut në Dardani mund të themi se kjo lagje do të rigjenerohet në mënyrën  më të mirë të mundshme,” deklaroi kryetari i Prishtinës.

Ai u premtoi banorëve të Dardanisë se do të merret edhe me pronat publike të uzurpuara në këtë lagje.

Ndërsa Hysen Durmishi, drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës tha se përveç ndërrimit të pllakave, në këtë plato do të rregullohen të gjitha shtresat e izolimeve.

Durmishi tha se ky projekt sikurse të gjitha projektet tjera do të mbikëqyret në mënyrë strikte gjatë fazës së realizimit.

Më 3 qershor Komuna e Prishtinës nisi ndërrimin e pllakave të vjetra me të reja edhe afër ndërtesës së PTK-së po në lagjen “Dardania”.

KALLXO.com-i shkroi në dhjetor të vitit të kaluar për pllakat e shkatërruara të shkallëve afër ndërtesës së postës.