Komuna e Prishtinës Vazhdon me Rrënimin e Ndërtimeve Pa Leje (TV)

Maj 30, 2014 – Inspektorati i Komunës së Prishtinës, të premten në mëngjes, ka filluar rrënimin e një pjese të një ndërtese e cila ka tejkaluar ndërtimin e paraparë me leje. Kryeinspektori Xhelal Sveçla tha se kjo pjesë e objektit është rrënuar edhe më herët, por investitori i huaj, Ali Sliman e ka rindërtuar atë.

Inspektorati i Komunës së Prishtinës ka filluar sot rrënimin e katit të një ndërtese në lagjen Mati 1, pasi që pronari i saj një investitor i huaj kishte tejkaluar lejen e ndërtimit.

“Në këtë ndërtesë ka tejkalim, i cili është përsëritur, do të thotë se ka ndodhur një rrënim i katit në administratën e kaluar dhe investitori ka vazhduar ndërtimin pa leje”, tha drejtori komunal i Inspektoratit, Xhelal Sveçla.

Ai tha se komuna i ka ndjekur të gjitha procedurat ligjore dhe në bazë të vendimit për rrënim, sot kompania e kontraktuar nga Inspektorati i Komunës është duke realizuar këtë rrënim .

Sipas tij, ndërmarrja që e ka ndërtuar këtë objekt është “Global Construction”, ndërsa pronari i saj është Ali Sliman. Sveçla nuk ka dashur ta tregojë shtetësinë e investitorit, por është shprehur se ai nuk është kosovar.

“Ne jemi deklaruar prej ditës së parë që për ne emrat nuk janë me rëndësi”, tha ai.

I pyetur se pse rrënimet po bëhen më së shumti në lagjen “Mati 1”, Sveçla tha se ndërtimet pa leje më së shumti janë në këtë lagje.

“Ne në vazhdimësi kemi rrënuar. Është fakt që në “Mati 1” ka më së shumti ndërtime kolektive pa leje apo me tejkalime”, tha ai.

“Normalisht në këto i marrin si prioritet, por ne jemi duke rrënuar edhe shtëpi  individuale,  jemi duke liruar hapësira të ndryshme dhe kjo është punë e jonë e përditshme”, u shpreh Sveçla.

Gazeta e ka kontaktuar disa herë pronarin Ali Sliman përmes telefonit, por ai nuk është përgjigjur.

Nga ana tjetër, një qytetar është ankuar se në rrethinë ka edhe ndërtesa tjera që kanë tejkaluar ndërtimet dhe komuna nuk po i rrënon.

“Nëse e keni pru vendimin, shumë me vend, po nëse kemi pru vendimin le të din edhe kryetari nëse s’del me rrxu krejt, mos kofshin ka nji kat tona leje qe”, tha Banis Makolli, banor i lagjes i cili ka lëshuar shtëpinë  dhe i ka dhënë tokën e tij kompanisë “Global Construction”, për të ndërtuar ndërtesa kolektive, e pastaj për t’u kompensuar me banesa.

Ai tha se e ka pasur shtëpinë më të madhe në lagje dhe ka bërë kontratë me investitorin e huaj.

“Pasha Kuranin të gjitha pa leje janë, edhe ai rendi matanë e me ardh tash ky me rrxu është poshtërsi, edhe për kryetarin”, shtoi Makolli.

Kurse Hasim Havolli, qytetar tjetër dhe pronar i tokës që i ka lëshuar investitorit Ali Slimanit, tha se që 4 vjet ka ngelur në banesë me qira.

“Kjo është toka e jem ia kam dhënë 30.5 për qind investitorit. Unë e kam rrëzuar këtu objektin tre kate, magazina , sot katër vjet u banë që nuk u kry , ka pas për me u kry qe dy vjet ky objekt”, tha Havolli.

Ai shtoi se është me qira dhe që 6 muaj nuk ka pasur para për të paguar qiranë.