Kompanitë Publike Nuk e Dinë Shumën e Borxheve që Duhet t’i Falin

Të gjithë ata qytetarë të Kosovës të cilët janë borxhli ndaj shtetit dhe ndërmarrjeve publike nga pas lufta e deri në fund të vitit 2008, nuk do të kenë më nevojë t’i shlyejnë ato detyrime.

Kjo pasi Qeveria e Kosovës këtë javë ka marrë vendim që t’i falë të gjitha borxhet e qytetarëve, që nga periudha e pasluftës deri më 31 dhjetor 2008 që i kanë ndaj shtetit dhe ndërmarrjeve publike.

Qeveria ka thënë se do të formohet një komision i cili brenda një muaji do ta hartojë një raport për nivelin e shumës së borxhit të falur.

Gjatë kësaj periudhe, shumë qytetarët nuk i kanë shlyer borxhet edhe ndaj Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” .

Arjeta Mjeku, zëdhënëse në Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” nuk tregoi se sa është borxhi total që qytetarët që furnizohen me këtë rrjet i detyrohen përgjatë periudhës në fjalë por tregoi borxhin total deri më sot.

“Borxhi total që qytetarët kanë ndaj ujësjellësit që nga pas lufta e deri më sot është 48 milionë, 4 milionë nga konsumatorët pasivë kurse 44 milionë borxh nga konsumatorët aktivë”, tha Mjeku për KALLXO.com

As KEK-u nuk ka treguar sa borxh kanë qytetarët gjatë periudhës së pasluftës e deri në vitin 2008.

Edmond Nulleshi, drejtor ekzekutiv për shërbime në KEK vetëm tregoi se sa është borxhi deri në vitin 2013.

“Borxhi i përgjithshëm qe konsumatorët në tërë vendin ia kishin KEK-ut deri në pranverë 2013, figuronte të ishte rreth 410 milionë euro”, tha Nulleshi.

Ai tha se duke pasur parasysh faktin se te gjitha resurset për grumbullim të borxheve nga konsumatorët janë bartur tek KEDS, KEK ka angazhuar KEDS si agjent për grumbullimin e borxheve të vjetra përkundrejt pagesës së një takse për atë shërbim.

Ndërkaq, ndër borxhet që qytetarët i kanë ndaj disa ndërmarrjeve publike përfshijnë edhe 150 milionë euro ndaj Administratës Tatimore të Kosovës, 2 milionë euro borxhe ndaj doganave kurse 51 milionë euro tatim në pronë.