Komisioni për Legjislacion Njofton Shoqërinë Civile për Punën që po Bën

Përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile janë takuar të premten me anëtarët e Komisionit për Legjislacion për të diskutuar rreth bashkëpunimit për çështjet me interes të përbashkët.

Kryetarja e këtij komisioni Albulena Haxhiu pasi falënderoi këto organizata për pjesëmarrjen, i njoftoi ato me planin e punës së komisionit.

Haxhiu njoftoi përfaqësuesit e shoqërisë civile për strategjinë antikorrupsion të komisionit dhe planifikimin që nëtarë të saj të vizitojnë Burgun e Dubravës për ta monitoruar zbatimin e Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale.

Haxhiu tha se këtë kërkesë e kanë bërë të burgosurit në këtë institucion.

“Ne i kemi paraparë edhe disa monitorime të ligjeve, po ashtu edhe disa dëgjime publike  dhe në këto plane pune kemi parapa edhe indikatorë për çështjet qe kemi përgjegjësi, e para ka të bëjë me monitorimin e strategjisë kundër korrupsionit,“ deklaroi Haxhiu.

Behxhet Shala nga KLMDNj-ja në fjalën e tij u fokusua kryesisht në atë se a i duhet Kosovës një Gjykatë Speciale e po ashtu foli edhe për kushtet e të burgosurve në Burgun e Dubravës.

Melihate Tërmkolli nuk u pajtua me fjalët e Shalës për Gjykatën Speciale, pasi tha se shoqërisë civile nuk i takon të bëjë opinione për këto çështje dhe ajo nuk duhet të jetë e politizuar.

Ajo përmendi detyrat që i ka kjo shoqëri.

“Shoqëria civileiI ka tri mundësi: presionin qe mund t’u bëjë Institucioneve, krijimin e opinioneve dhe propozimet qe mundet me i bë,“ tha Tërmkolli.

Albulena Haxhiu tha se është formuar një grup teknik në lidhje me Gjykatën Speciale, por shtoi se komisioni nuk ka informacione rreth saj, edhe pse duhet të informohet për formatin e kësaj gjykate.

Ajo bëri me dije se për funksionimin e sistemit të drejtësisë do të ftohet në komision ministri Hajredin Kuçi, ndërsa paralajmëroi ftesën ë komisioni do t’ia dërgojë ede kreut të Agjencisë Kundër Korrupsion Hasan Pretenit.

Komisioni do të monitorojë Ligjin për Deklarimin e Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë dhe Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

Haxhiu kërkoi nga shoqëria civile ndihmë gjatë hartimit të ligjeve në komisionin e drejtuar prej saj.

Për ndihmë dhe bashkëpunim u shprehën të hapur organizatat NDI dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).

Edhe Driton Selmanaj nga KDI-ja njoftoi komisionin për monitorimin e që legjislacionit kosovar po ia bën kjo organizatë.

“ Ndoshta monitorimi s’është dashtë të kufizohet vetëm ne sferën e korrupsionit, por edhe në funksionalitetin e institucioneve tjera që janë në raportim të drejtpërdrejtë te ju ,“  tha Selmanaj.

GLPS-ja para komisionit shprehu shqetësimin për procedurën e përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit, një garë në të cilën ka mbetur vetëm një kandidat, ndërsa të tjerët janë tërhequr.

Margarita Kadriu e pranoi se sistemi i drejtësisë ka probleme.

“ Pikë e dobët e sistemit te drejtësisëjanë KGjK-ja dhe KPK-ja, ku në mbledhjen e fundit e patëm kryetarin e Këshillit Gjyqësor te Kosovës z. Enver Peci, dhe kur unë thashë se sistemi i drejtësisë ka degraduar, deshi ta lëshojë mbledhjen, pra u prek ne pikë te dobët ende pa i thënë se nuk ka bërë asgjë,“ deklaroi Kadriu.

Ajo tha se “për ta pasur një Kuvend funksional neve na nevojitet patjetër edhe ndihma e shoqërisë civile“, por shtoi se kjo shoqëri duhet të vijë me propozime konkrete e të mos shërbejë vetëm si dekor.

Edhe Agim Aliu u inkuadrua në këtë debat.

“Ju si shoqëri civile do të na ndihmoni ne kuadër te planprogramit që e kemi, po ashtu edhe strategjisë dhe vërtet ta bëjmë një monitorim,“ deklaroi Aliu.

Më së shumti në takim u fol për sistemin e drejtësisë në vend. As anëtarët e komisionit e as përfaqësuesit e shoqërisë civile nuk u pajtuan me mënyrën se si aktualisht po funksionon ky sistem.