Kolona Veturash dhe Pritje, Vetëm në Merdarë

Policia e Kosovës ka njoftuar sot se mërgimtarët të cilët po kthehen gjatë këtij vikendi në shtetet perëndimore përmes Serbisë po përballen me pritje deri në tri orëshe vetëm në pikën e kalimit kufitar në Merdarë.

Në raportin e situatës në pikat kufitare me Serbinë të orës 12, policia thotë se po vazhdon punën me shtim të personelit policor dhe aplikimit të punës së kontrollit kufitar të përshpejtuar, me qëllim që të shmangies së pritjeve të gjata dhe t’u mundësojë qytetarëve kalim më të shpejtë të kontrollit kufitar.

Raporti thotë se në Merdarë, për të hyrë në kosovë nuk ka pritje, ndërsa për të dalë nga Kosova, qytetarët duhet të presin 2 deri në 3 orë në kolonën prej 1.5 kilometër.

Pritjet janë më të shkurta në pikat tjera të kalimit kufitar me Serbinë. Te Dheu i Bardhë, kolona është e gjatë vetëm rreth 100 metra, ndërsa pritja jo më shuëm se 20 minutëshe; në Mutivodë kolona është 0.5 kolimetër me kohëzgjatje afërsisht deri në 1 orë, ndërsa në pikë-kalimin kufitar Muqibabë në dalje ka pritje deri në 20-30 minuta.

Kësisoj Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos përdorin vetëm pikën kufitare në Merdarë, por të drejtohen edhe te pikat tjera ku pritjet janë më të shkurta.

“Nga ana e zyrtarëve policor të Policisë së Kosovës, puna është duke u zhvilluar normalisht me kapacitete dhe intensitet të shtuar, mirëpo kolona-pritjet janë duke u shkaktuar si rezultat i fluksit të madh të automjeteve si dhe procedurave që aplikohen gjatë plotësimit të dokumenteve-formularëve  përkatës nga autoritetet serbe”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.