Kogjenerimi Nuk e Ul Çmimin e Ngrohjes Për Prishtinasit

Asambleistët e Kuvendit Komunal të Komunës së Prishtinës janë informuar sot për fillimin e ngrohjes për sezonin dimëror 2014 – 2015 nga kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes publike Termokos, Arsim Janova.

Janova tha se për shkak të kostos shumë të lartë të ngrohjes përmes mazutit, kompania më herët nuk ka mundur që t’i përmbushë kërkesat e qytetarëve për ngrohje prandaj edhe qytetarët kanë pasur kërkesa për shkyçje nga sistemi.

Tani, me projektin kogjenerimit, ai tha se ka kërkesa të qytetarëve që të hyjnë në këtë sistem.

“Kërkesat janë të mëdha për zgjerimin e rrjetit nga qytetarët. Projekti i kogjenerimit ka nxitë shumë kërkesa për kyçje dhe qytetarët janë shumë të interesuar ta kyçen në sistemin e ngrohjes qendrore. Ne jemi në vazhdimësi duke bërë kyçje të reja që nuk po ka nevojë për investime të mëdha. Ndërsa kyçjet për lagjet e tjera siç është Mati 1, Kalabria, Arbëria ne do të bëjmë fonde shtesë në të ardhmen edhe nga komuna apo donacionet besojmë se do të arrihet zgjerimi i rrjetit”, tha Janova.

Sa i përket këtij sistemi Janova, u shpreh se kanë rezervuar rreth 350 tonë mazut në qoftë se komplikohet sistemi me avull.

“Kur kthehemi te data 15 tetor nuk kemi mundur me fillu për arsye se nuk kemi  pas rezerva të mazutit. Kemi rezervuar 350 tonë mazut që i bie diku 7 – 8 ditë mundemi me ofru ngrohje me ato nëse ka ndërprerje të projektit”, tha Janova.

Ai më tutje tha se është tejkaluar një sfidë e madhe dhe kanë startuar me sukses ndërsa synojnë për ta ngritur kapacitetin e ngrohjes.

Sa i përket asamblistëve shqetësuese sipas tyre ishte çmimi i njëjtë i tarifave.

Yll Hoxha, asambleist i Vetëvendosjes, tha se ngrohtorja në qytet ka ngecur jo vetëm në ngrohjen e mirë por edhe në inkasim jo të  mirë duke kërkuar nga qytetarët që të paguajnë shërbim të dobët ku shumicën e kohës nuk ka pasur ngrohje.

Shaip Hajrizi nga LDK-ja dhe Imer Rusinovci nga AAK thanë se çmimi prej 1 euro për metër katror është i lartë.

Janova u përgjigj se edhe këtë vit do të jenë tarifat e njëjta 1 euro për metër katror për amvisëri ndërsa 1.16 euro është për biznese për arsye se ky vit do të jetë vit testues për ta.

Ndërsa kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, tha se ngrohja me mazut në krahasim me ngrohjen me avull është më e shtrenjtë mirëpo kërkon nga qytetarët të kuptojnë se nëse krijohen para më shumë nga pagesat ato mbesin sërish para të qytetarëve të Prishtinës të cilat mund të kthehen si investime të reja në Termokos.

“Nuk është që me këto pare pse është çmimi i njëjtë dhe dikush po fiton këtu. Nuk ka të bëjë me atë sepse ne jemi pronarë. Në qoftë se vlerësohet në të ardhmen se kjo kompani është profitabile dhe kostoja është më e ulët sesa të hyrat që po i mbledh atë herë ne bashkërisht vendosim se qa me bë me atë. A do ta ulim çmimin a do t’i shfrytëzojmë në investime të reja me zgjeruar rrjetin”, tha Ahmeti.

Ai u shpreh se në qoftë se duan ta ulin çmimin e pastaj prapë Termokosi të subvencionohet nga Komuna, kjo i bie që të gjithë qytetarët do të paguajnë ngrohjen edhe ta që nuk janë të lidhur me ngrohtoren e qytetit pasi që ato janë para të taksapaguesve.

Në mbledhjen e Kuvendit komunal, janë diskutuar dhe miratuar edhe disa pika të tjera siç është shqyrtimi i propozimit të kryetarit të Komunës për këmbimin e pronave të paluajtshme të Komunës në pronat me pronësi të personave fizikë.