KMDLNj-ja Kërkon Reciprocitet për Marrëveshjen e Sigurimeve

Memorandumin e mirëkuptimit për policat e sigurimeve, KMDLNj-ja e konsideron mashtrim të radhës për qarkullim të lirë.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut duke reaguar me anë të një komunikate pas fillimit të zbatimit që nga e mërkura të marrëveshjes për sigurimet tha se qytetarët e Kosovës janë dezinformuar se vlen parimi i reciprocitetit në këtë marrëveshje.

“Qytetarëve të Kosovës u është servuar një informatë e që në fakt doli të jetë dezinformatë se Marrëveshja me Serbinë do të zbatohet duke respektuar reciprocitetin midis dy shteteve. Doli të jetë një mashtrim i radhës sepse qytetarët e Kosovës për të hyrë në territorin e Serbisë përveç sigurimit duhet t’i zëvendësojnë tabelat e regjistrimit RKS me tabela provuese për të cilat duhet të paguajnë 5 euro shtesë, gjë që nuk vlen për ngasësit e automjeteve që hyjnë nga Serbia në Kosovë,” thuhet në komunikatën e KMDLNj-së.

Dje ministrja për dialog Edita Tahiri duke sqaruar këtë marrëveshje tha se janë të pavërteta informatat se kosovarët do të paguajnë 40 euro për sigurim të automjeteve gjatë lëvizjes nëpër Serbi.

“Spekulimet mediale se qytetarët do të paguajnë 40 euro për sigurim të automjeteve gjatë kalimit në Serbi, nuk janë të vërteta. Sepse kjo shumë prej 40 eurosh është çmimi për një policë të sigurimeve për një automjet për periudhën njëvjeçare, të cilën qytetarët e kanë blerë për të hyrë në Maqedoni dhe tani kjo policë e njëjtë do të vlejë edhe për të hyrë në Serbi,” tha Tahiri nëpërmjet një komunikate.

Ajo sqaroi edhe çështjen e tabelave provuese.

“Çështja e targave/tabelave të automjeteve është pjesë e Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes të arritur më 2 korrik 2011, me ç ‘rast pala serbe ka pranuar që të lejojë kalimin nëpër territorin e shtetit të saj vetëm të automjeteve me targat KS ndërsa edhe për kundër trysnisë tonë dhe të BE-së ende nuk i pranon targat e automjeteve me regjistrimet RKS,” tha Tahiri.

KMDLNj-ja më tutje kërkon parim reciprociteti të Kosovës me Serbinë, ose tërheqje të Kosovës nga kjo marrëveshje.

“Qytetarët e Kosovës, përveç se po plaçkiten nga autoritetet serbe gjatë kalimit të Kosovës ata po bien viktima të një mashtrimi ordiner dhe të paskrupullt që po ua bëjnë kryesuesit e delegacioneve për bisedime teknike. Kosova, ose duhet ta zbatojë parimin e reciprocitetit me Serbinë, ose duhet të tërhiqet nga kjo marrëveshje, sugjeron KMDLNj-ja.

Këshilli kërkon përgjegjësi të atyre që udhëhoqën bisedimet që prodhuan një marrëveshje të tillë.

“KMDLNj kërkon përgjegjësi për këtë mashtrim që i është bërë qytetarëve të Kosovës dhe dorëheqje të atyre që kanë udhëhequr bisedimet, si akt moral por nuk i përjashton edhe përgjegjësitë e tjera,” thuhet në komunikatën e këshillit.

Kur foli për KALLXO.com ditën e fillimit të zbatimit të marrëveshjes, Rrahim Pacolli, kryesuesi i delegacionit kosovar në bisedimet e Brukselit për çështjen e sigurimeve të automjeteve, tha se ajo po zbatohej pa probleme.