Klina Ndan Shumë Para për Sheshe, Pak Për Bujqësi e Shëndetësi

Ditë më parë, Asambleja Komunale në Klinë, miratoi “Kornizën Afatmesme Buxhetore” për periudhën 2016-2018por një organizatë lokale e shoqërisë civile e vlerëson si “joracionale” ndarjen e buxhetit.

Elbasan Racaj, koordinator i OJQ “Koha” në Klinë, shpreh shqetësimin e tij lidhur me ndarjen jo proporcionale të buxhetit komunal. Sipas tij, një shumë prej 1.5 milion euro është ndarë për shtrimin e rrugëve të qytetit duke përfshirë shtrimin e sheshit të qytetit me kubëza duke lënë anash shëndetësinë, bujqësinë dhe çështjet tjera me rendësi bazike.

“Ta zëmë këtu rastin e Drejtorisë së Bujqësisë, të cilës vetëm për tri vitet e ardhshme i janë ndarë një buxhet prej 210.00 euro, që i bie vetëm 70.000 për vit, që është një shumë tejet e ulet”, tha Racaj.

Përderisa Racaj kritikon planin trevjeçar buxhetor të Klinës, zyrtarë komunalë thanë për KALLXO.com se buxheti në përgjithësi është ndarë ne mënyre racionale duke kaluar edhe edhe në asamble.

“Një buxhet prej 1.119.000 euro as përafërsisht nuk i mbulon kërkesat e qytetarëve, por kryesisht është bërë një ndarje proporcionale sepse ky buxhet së fundi e ka marrë vizën edhe ne asamble sepse aty është votuar”, tha Rrusta.

Rrusta shtoi se arsyeja, e ndarjes  me të madhe të se mjeteve për drejtorinë e urbanizmit është për shkak se ajo është kompetente për hartimin e projekteve.

Ndërsa nënkryetari i komunës, Enver Berisha, i kontaktuar nga KALLXO.com, tha se arsyeja për  ndarjen e mjeteve të pakta për drejtorinë e bujqësisë, është planifikimi i ndarjes prej 500,00 euro për subvencione. Sipas tij, kjo fushë mund të mbulohet me donatorë.