Kino Lumbardhi Nuk Do Të Privatizohet
Problemet rreth privatizimit, likuidimit, rrënimit e shfrytëzimit të Kinos Lumbardhi në Prizren kanë përplasur akterët të cilët janë të implikuar në këtë problem.
Çka po ndodh me këtë kinema dhe pseorganizatat kulturore po kërkojnë që të ndalet privatizimi I saj? Çfarë thotë AKP-ja e komuna për gjendjen statusore dhe fizike të saj? Kush po e menaxhon këtë aset dhe çfarë thotë AKP-ja për pronësinë e saj?
Kjo kinema është një ndër kinematë më të vjetra në Kosovë. Gjatë debatit në Emisionin Jeta në Kosovë, Ymer Berisha, këshilltar i Kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja, tha se Qendra Kinematografike e Kosovës është dashur të qaset më profesionalisht me iniciativat e tyre dhe se Komuna e Prizrenit është e gatshme t’i dëgjojë kërkesat e të tjerëve por nuk mund të dalë nga plani urbanistik.
Por ai ua bëri me dije palëve në debat se asnjë vendim nuk merret pa vullnetin e Komunës së Prizrenit.
“Objekti nuk rrëzohet’’, u shpreh ai.
Në një diskutim të ashpër, Hajrulla Çeku nga Organizata “Ec Ma Ndryshe” kundërshtoi Berishën duke thënë se deri më tash ai ka parë vetëm disponim për shkatërrimin e Kino Lumbardhit.
“Kemi pa disponim për me heq qafe Lumbardhin. Lumbardhi po trajtohet me ftohtësi”, tha ai duke iu referuar faktit që prizrenasit janë të lidhur shpirtërisht me këtë kinema.
57 organizata nga Rjeti I Organizatave kulturore kanë inicuar një peticion kundër privatizimit të Lumbardhit. Një peticion të thillë Çeku thotë se e kanë bërë edhe në vitin 2007 dhe se që nga atëherë asgjë pozitive nuk është bërë në këtë drejtim.
Çeku thotë se ky problem e ka fillin qysh në udhëheqjen e komunës nga Eqrem Kryeziu I LDK-së para vitit 2007.
Ai tha se Komuna e Prizrenit jo vetëm Lumbardhin por edhe qytetin e ka degraduar.
“Komuna e ka degraduar qendrën historike, e keni degraduar qytetin”, u shpreh ai.
Por me këtë konstatim nuk u pajtua Ymer Berisha i cili tha se Kino Lumbardhi është nën mbrojtjen e Komunës së Prizrenit.
Ai poashtu tha se nivelet qendrore nuk mund të ndryshojnë kërkesat ligjore të Komunës së Prizrenit.
“As nivelet qeveritare nuk do të kenë vullnet të bien në kundërshtim me kërkesat ligjore të Komunës së Prizrenit”, tha Berisha.
Nga ana tjetër, Arben Zharku, drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosëovës, thotë se ai ka ardhur në pozitë në fillim të këtij viti dhe nga udhëheqja e kaluar nuk ka trashëguar asgjë të gatshme sa i përket gjendjes së kinemave në Kosovë.
Zharku akuzoi paraardhësit e tij se asnjëherë nuk kanë punuar në këtë drejtim.
“Asnjëherë asnjë zyrtar i QKK-së nuk është interesuar për gjendjen e kinemave”, u shpreh Arben Zharku.
Ai tha se askush nuk mund të veprojë pa marrë pëlqimin e QKK-së.
“Ne i kemi paralajmëruar të gjithë ata që pretendojnë të ndryshojnë destinimin e kinemasë se duhet të marrin pëlqimin nga ana e QKK-së sepse pasojnë gjobat”, tha ai.
Zharku nuk ishte shumë i informuar për gjendjen e kinemave të tjera nëpër Kosovë. Ai nuk kishte informacion që Kinemaja e Mitrovicës ishte rrënuar, ndërsa tregoi se në Ferizaj shfrytëzohet një teracë si improvizim i kinemasë.
Në anën tjetër, kryesuesi i AKP-së për rajonin e Prizrenit, Nexhat Elshani tha se nuk varet nga ata nëse Komuna do ta ketë apo jo Kino Lumbardhin nën menaxhim.
Ai bëri të ditur se Kino Lumbardhi nuk është në shitje ndonëse thotë se akoma nuk ka ndonjë vendim definitiv.
“Lumbardhi nuk është në procesin e shitjes, procesi i likuidimit bën përmbylljen e ndërmarrjes në përgjithësi. Lumbardhi akoma është në shqyrtim”, u shpreh ai.
Ndërsa Eroll Bilibani nga DokuFest tha se ata kanë paguar për të shfrytëzuar hapësirat e Kino Lumbardhit në kohën kur është mbajtur ky festival ikonë e Prizrenit.
Sipas tij, cdo gjë është kalkuluar në faturë nga Komuna e Prizrenit.
Bilibani thotë se kjo kinema është shkatërruar ndonëse është me shpresë se “mund të bëhet dicka që ajo të rregullohet”.
“Objekti i Kino Lumbardhi ka degraduar, e posaçërisht pjesa e brendshme. Jemi të gatshëm ta marrim menaxhimin e kinemasë. Kemi shprehur interesim për të gjetur një zgjidhje për Lumbardhin”, u shpreh ai.
Sipas Bilibanit, kino Lumbardhi ishte bllokuar dy apo tri javë para festivalit. Edhe pasi kishin kontaktuar personat përgjegjës, ata nuk munden ta marrin në shfrytëzim objektin e Kinemasë.
Bilibani tha se plani e kërkon që të ketë gjithnjë një kinema në ambient të mbyllur pasi që reshjet atmosferike mund t’u prishin organizatorëve planet në hapësirat e improvizuara në ambiente të jashtme.
Në fund të emisionit, Arben Zharku tha se Qendra që e drejton ai është në gjendje ta ndihmojë financiarisht këtë kinema në momentin kur definohet pronësia. Ndërsa deklaroi se ata nuk do të lejojnë rënimin e saj.
Ndërsa Ymer Berisha nga komuna e Prizrenit premtoi se kjo cështje do të adresohet nga ata dhe “Kino Lumbardhi do të jetë e qytetarëve të Prizrenit”.