Kerry Zbret në Aeroport-Pritet të Flasë në Konferencë

Sekretari amerikan i shtetit John Kerry u prit në Aeroportin e Prishtinës nga Kryeministri Mustafa dhe ambasadori Delawie.

Para tij u rreshtua Garda e Nderit e FSK-së, ndërsa së shpejti Kerry do të flasë në një konferencë ku janë lejuar të marrin pjesë vetëm kameramanë dhe fotoreporterë të medieve.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka bërë të ditur se Kerry së bashku me liderët e Kosovës do të diskutojë çështje rajonale dhe bilaterale.

Ndryshe, Kerry vizitën në Kosovë po e bën në vazhdën e vizitave të shteteve duke përfshirë Serbinë, Greqinë, Qipron, Belgjikën dhe Francën.

Kerry po viziton Kosovën për herë të parë, ndërkaq kjo është vizita e dytë e përfaqësuesve të lartë të shtetit amerikan pasi nënkryetari Joe Biden pati vizituar Kosovën në vitin 2009.

Duke e komentuar vizitën e Kerry-t, gjashtë ditë më parë analistët thanë për KALLXO.com se ai do të diskutojë me kosovarët rrezikun nga terrorizmi, pastaj edhe do të flasë për ndikimin rus, Gjykatën Speciale, dialogun me Serbinë, sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, etj.