Kerry: Kuvendi Duhet të Jetë Tempulli i Demokracisë

Gjatë vizitës së tij të sotme në Kosovë sekretari amerikan i shtetit John Kerry tha se në Kuvend nuk duhet të hedhet gaz lotsjellës.

Kerry doli në një konferencë të përbashkët për media me Kryeministrin Isa Mustafa në Aeroportin e Prishtinës, pas takimit që pati me Mustafën dhe zëvendëskryeministrat Hashim Thaçi e Branimir Stojanoviq.

Kerry gjatë fjalimit të tij foli edhe për situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës.

“Kuvendi duhet të jetë vendi ku ka debat domethënës për politikat publike, ku njerëzit mund ta  dëgjojnë njëri-tjetrin në paqe, pa marrë parasysh sa e kundërshton idenë, ose ke një ide tjetër vetë. Debati duhet të bëhet në demokraci në veçanti në Kuvend, i cili duhet të jetë tempulli i demokracisë, vend i respektit, nuk është vendi ku duhet të hidhet gazi lotsjellës apo edhe të bëhen kërcënime,” tha Kerry.

Kerry tha fjalë të mira edhe për mikpritjen kosovare, ndërsa foli edhe për rrugën evropiane të Kosovës.

“Nënshkrimi i MSA-së  me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian  paraqet një hap  të rëndësishëm në këtë drejtim, dhe këto të arritura janë rezultate të drejtpërdrejta të gatishmërisë së Kosovës për të bërë progres edhe në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian me Serbinë,” tha Kerry.

Kryeministri Mustafa përmendi gjithë ndihmën që Kosova përfitoi nga Amerika gjatë shumë viteve.

“Kjo ndihmë ka qenë shumë e madhe në të gjitha fazat, ka qenë shumë e rëndësishme në shlyerjen e borxhit të jashtëm që kishte trashëguar Kosova, në fazën emergjente të ndërtimit të pasluftës, në programin dhe projektet që Agjencioni Amerikan për Zhvillim USAID i ka zhvilluar në Kosovë në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe të qeverisjes së mirë,  në sektorin e edukimit, në mbështetjen e Policisë së Kosovës, në prezencën e trupave të KFOR-it, në përkrahjen e institucioneve të sundimit të ligjit në trajtimin dhe asistencën substanciale të Forcës së Sigurisë së Kosovës,” tha Mustafa.

Edhe Mustafa përmendi rrugën evropiane të Kosovës.

“Po punojmë me prioritet për zhvillimin ekonomik të vendit, për stabilitet politik, për politika të fqinjësisë së mirë me vendet në regjion dhe për integrime euroatlantike. Po vazhdojmë dialogun me Serbinë, për të integruar popullatën në jetën politike dhe ekonomike të vendit,” deklaroi Mustafa.

Edhe Kerry u ndal te dialogu i Kosovës me Serbinë në Bruksel. Tha se marrëveshjet që i ka nënshkruar Kosova nuk janë të lehta por kanë qenë vendime të vështira politike. Ai u zotua se SHBA-të nuk do të mbështesnin marrëveshje të cilat do ta rrezikonin sovranitetin dhe sigurinë e Kosovës.

Pas vizitës në Kosovë, John Kerry do të vizitojë Beogradin.