Kërkohet më Shumë Siguri për Fëmijët nga Qentë Endacakë

Koalicioni i OJQ-ve të Pavarura (KOMF) ka reaguar pas vdekjes së 7 vjetarit dje në Fushë Kosovë, si pasojë e plagëve që kishte marrë nga qentë endacakë.

“Ngushëllojmë familjen e fëmijës, derisa ndajmë dhimbjen e thellë për djalin e tyre”, thuhet në njoftim e KOMF.

Ky koalicion u ka drejtuar kërkesë zyrtare Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Kryetarëve të Komunave të Kosovës, si përgjegjës për sigurinë e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, që në mënyrë të menjëhershme të gjejnë zgjidhje për problemet me qentë endacakë.

KOMF përmes këtij apeli tregon se problemi i qenve endacakë është piketuar nga shumë hulumtime që janë zhvilluar në Kosovë, që nënkupton se ky problem, nuk është vetëm i Komunës së Fushë Kosovës, por i të gjitha komunave në Kosovë.

“Duke u nisur nga fakti që legjislacioni në fuqi ju obligon që të trajtoni këtë problematikë, ne ju bëjmë thirrje që sa më parë të gjendet një zgjidhje konform kompetencave dhe obligimeve që keni”, thuhet në apelin e KOMF.

“Po ashtu, ne ju bëjmë thirrje që në kuadër të mandatit, të punoni për të krijuar një ambient human, të sigurt për të gjithë fëmijët”, thuhet në reagim.