Kërkohen Mbledhje të Hapura të Bordeve

Në Komisionin për Administratë Publike u diskutua Projektligji për Procedurën e Përgjithshme Administrative.

Deputetja Alma Lama e kontestoi nenin 39 të këtij projektligji në të cilin përcaktohet që mbledhjet e kolegjiumeve dhe bordeve të institucioneve të jenë të mbyllura.

“Nuk e di a është korrekte të thuhet mbledhje të mbyllura, sepse mund të keqpërdoren. Kam parasysh mënyrën se si funksionojnë disa borde si e RTK-së, KPM-së, PTK-së e plot borde dhe zakonisht ato preferojnë mbledhjet e mbyllura, sepse ne me ligje nuk i kemi detyruar me qenë të hapura për publikun. Është mirë me qenë të hapura,” tha Lama.

Deputeti Sadri Ferati, i cili ka qenë në grupin punues të këtij projektligji, tha se institucioni duhet të vendosë se kur mbledhjet do të jenë të hapura.

“Është me vullnet, don kolegjiumi me qenë të hapura i mban të hapura, nëse don të mbyllura mbahen të mbyllura dhe ligji këtu është 1 me 1 ose 50 me 50. Mirëpo, thotë nëse vendos që mbledhjet të jenë të hapura, atëherë në ato raste data, ora dhe vendi i zhvillimit të mbledhjes njoftohen me mjetet e përshtatshme për të mundësuar pjesëmarrjen e palëve të interesuara,” theksoi Ferati.

Ndërsa, vërejtjet tjera kishin të bënin me kuorumin, si duhet të rregullohet pjesëmarrja në një mbledhje dhe se çfarë paraqet kourum.

Sot një javë pritet të mbahet mbledhja e këtij komisioni për të diskutuar dhe për ta votuar në tërësi projektligjin.