Kamerieri Dëshmon për të Shtënat e Grupit Me “Çerçizin”

Në gjykimin kundër Isak Musliut dhe katër personave tjerë, të martën dëshmoi kamerieri i lokalit ku ky grup akuzohet se mes tjerash shtiu me armë.

Sevdahir Krasniqi, kamerieri i lokalit në fshatin Grackë të Lipjanit përshkroi natën e 20 majit 2013, kur në atë objekt hynë 16-17 persona.

Ai në procesin gjyqësor ku për armëmbajtje pa leje po akuzohet edhe Isak Musliu, ish-komandant “Çerçizi” është edhe i dëmtuar.

“Rreth orës 23:00 kanë ardhur disa njerëz- grupi i personave të akuzuar përveç Besimit  ku gjithsej kanë qenë 16- 17 veta. Këtij grupi ju kemi bashkuar tavolinat. Kanë kërkuar pije alkoholike dhe joalkoolike”, tha dëshmitari.

I akuzuari për vrasje të rëndë në tentativë Besim Krasniqi është pronar i lokalit dhe xhaxha i dëshmitarit.

Sevdahir Krasniqi tregoi më pas se si ky grup shtiu me armë nga lokali, pas kërkimit dhe këndimit të këngëve patriotike nga këngëtarët.

Ky grup ka kërkuar këngë patriotike dhe më pas unë e kam parë Isak Musliun duke ja dhënë revolen Bashkimit nga Sllatina, i cili e ka hapur dritaren dhe ka shtënë nja 2-3 herë’, tregoi dëshmitari.

Ai bëri me dije se Besim Krasniqi ua kishte tërhequr vërejtjen këtyre mysafirëve.

“Në atë moment Besim Krasniqi iu është ofruar atyre duke ju thënë ‘Mos gjuani me armë, sepse është e ndaluar dhe më ikin mysafirët, mos e prishni qetësinë’”, shtoi dëshmitari.

Pastaj dëshmitari tha se personat e këtij grupi kanë nisur të thyejnë shihse e gota, ndërsa kur pronari i lokalit ka shkuar t’ua tërheqë vërejtjen për së dyti, ka filluar sulmi i mysafirëve ndaj personelit.

“Bashkim Beqaj e ka kapë për dore Besimin [Krasniqin] dhe pastaj i gjithë grupi është çuar në këmbë.  Hajredin Ahmeti më ka goditë 2-3 herë ne karrikë në shpinë dhe pas goditjeve nga ai unë kam qenë pa vetëdije”, tregoi dëshmitari.

Bashkim Beqaj akuzohet për sulm, ndërsa Hajredin Ahmeti për lëndim të lehtë trupor.

Sevdahir Krasniqi u mundua ta shfajësojë xhaxhanë e tij.

“Agja im Besim Krasniqi asniherë nuk ka pasur problem me të akuzuarit tjerë këtu të pranishëm. Unë nuk e di arsyen pse ata kanë vepruar kështu- kanë gjuajtur me armë dhe kanë bërë veprime të cilat i ceka me lartë”, tha ai.

Seanca do të vazhdojë më 7 nëntor.