Kadri Veseli: Presidenti Austriak S’Kuptoi Çfarë Shkroi Opozita

Mbishkrimet e opozitës të paraqitura sot para Presidentit të Austrisë Heinz Fischer, mund të mos jenë kuptuar fare, sipas Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kasdri Veseli.

Veseli tha se veprimet e opozitës nuk ishin të pranueshme, por që edhe pse ndodhën nuk patën ndonjë efekt.

“Është çështje e drejtë e opozitës, por kur të kemi miq këtu, nuk do të duhej të kemi situata të tilla, sido që të jetë është çështje si ata vetë e kanë gjyku, por e kam një përshtypje se mbas mbarimit të takimit, Presidenti Austriak me pyeti se çfarë shkruante, se nuk e dinte se as çfarë shkruante”, tha Veseli.

Parullat e opozitës ishin shkruar në anglisht, dhe me deklaratën e tij, kryeparlamentari po merr përsipër të thotë se Presidenti i Austrisë nuk e njeh këtë gjuhë.

Ky i fundit e mbajti fjalimin e tij në gjermanisht, dhe ndërkohë nuk dihet se në cilën gjuhë kanë komunikuar dy zyrtarët mes tyre.

Opozita shfaqi dy parulla në sallën e Kuvendit të Kosovës. Në njërën prej tyre shkruante “Mjaft me qetësimin e hegjemonisë serbe”, ndërsa në tjetrën “Ruaje shpinën z. President. Gënjeshtarë dhe të korruptuar janë të ulur prapa jush!”