John Kerry: Jemi Duke e Mposhtur ISIS-in

Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry thotë se koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara është “në rrugë” për të mundur dhe shkatërruar grupin  militant të shtetit Islamik në Irak dhe Siri, ISIS.

“Unë besoj se ne jemi në rrugën e shkatërrimit të ISIS ,” tha Kerry  për NBC-së të dielën.

Kerry tha se kialocioni ka rifituar më shumë se 20 për qind të territorit që kishte qenë nën kontrollin e ISIS dhe ka  vrarë “një pjesë të konsiderueshme” të lidershipit të lartë të grupit.

“Ne besojmë se çdo gjë – duke përfshirë  edhe procesin qeverisës në Irak – është duke ecur në drejtimin e duhur,” tha Sekretari Kerry.

Komentet Kerry-t vijnë pas sulmeve ajrore nga Jordania kundër grupit militant javën e kaluar pasi ISIS shfaqi një video ku tregohej se si një nga pilotët e saj të kapur u dogj i gjallë në një kafaz.

“Koalicioni është i fortë, dhe më i përkushtuar se kurrë, veçanërisht si pasojë e djegies së pilotit jordanez,” tha Kerry.

Kerry përsëriti gjithashtu qëndrimin se SHBA-të nuk janë të gatshme për të ndërhyrë me këmbësori në luftën kundër ISIS, duke u mbështetur kështu  në trupat tokësore nga Iraku dhe anëtarët e tjerë të koalicionit në vend.

Gjithashtu, Kerry mohoi ka pasur ndonjë ndasi midis Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj evropianë mbi mënyrën se si të merren me Rusinë rreth  krizës në Ukrainë.

“Nuk ka ndarje, nuk ka asnjë ndarje,” tha Kerry në një konferencë të sigurisë në Munih. “Ne të gjithë pajtohemi se kjo sfidë nuk do të përfundojë përmes forcës ushtarake. Ne jemi të bashkuar në diplomacinë tonë. “

Kerry poashtu  tha se nuk ka asnjë dyshim se SHBA-të dhe aleatët e saj do të ofrojnë asistencë shtesë për Ukrainën, por refuzoi të japë hollësi.